Një mërgimtar-zjarrfikës donoi veshje mbrojtëse për kolegët nga Gostivari

Një mërgimtar, i cili kohë të gjatë jeton dhe punon si zjarrfikës në Zvicër, në vendlindje ka dërguar veshje mbrojtëse si donacion për zjarrfikësit në Gostivar.

Marketing

Nga njësia zjarrfikëse profesionale kanë shprehur falënderim për gjestin, pasi, siç tha Jusuf Bajrami, shefi i njësisë, për këtë pajisje kanë pasur shumë nevojë.

“Bashkëqytetari i jonë Arsim Tahiri, i cili moti ka shkuar në mërgim, si kolegë ka shprehur mirëkuptim dhe siguroi 15 komplete, të cilat zjarrfikësit i shfrytëzojnë gjatë intervenimeve. Krahas helmetave dhe uniformave speciale – skafanderë, të cilat përdoren për shuarjen e zjarrit, ka edhe uniforma të dedikuara kur intervenohet gjatë fatkeqësive në komunikacion”, thotë Bajrami.

Ai theksoi se pajisja është sipas standardeve të larta evropiane dhe në mënyrë të konsiderueshme do ta lehtësojë punën e zjarrfikësve, ndërsa do ta përmirësojë edhe sigurinë e tyre gjatë intervenimeve.

Këto ditë krahas pajisjes tjetër punuese, zjarrfikësit gostivaras do të marrin edhe një automjet special, që i siguroi si donacion Blerim Selmani, po ashtu mërgimtar nga rrethina e Gostivarit.

Në përbërje të njësisë zjarrfikëse ka 38 zjarrfikës, të cilët i mbulojnë edhe territoret e komunave fqinje Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë.