Një pako ligjesh nga Ministria e Financave me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët

Ministria e Financave përgatiti ose vendosi në zbatim tetë ligje të cilat ofrojnë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe firmat.

Marketing

Qytetarët përsëri mund të parashtrojnë kërkesa për privatizim të tokës ndërtimore shtetërore. Pas skadimit të afatit më 15 dhjetor të vitit 2014, qytetarët nuk e kishin këtë mundësi. Tani ata përsëri e kanë këtë të drejtë edhe atë në tre vitet e ardhshme, theksohet në kumtesën e Ministrisë së Financave.

Në drejtim të përmbushjes së kërkesave të qytetarëve, por edhe të kompanive të ndërtimit, me ndryshimet e Ligjit për TVSH, shkalla e TVSH-së për banesa mbetet e privilegjuar, gjegjësisht pesë për qind në pesë vitet e ardhshme.

“Që t’i mbrojmë qytetarët përgatitëm Propozim-ligj për mbrojtje të konsumatorëve për kredi të konsumatorëve. Me të vendoset limit i shpenzimeve për marrjen e kredive nga shoqatat financiare, që do të ndikojë në zvogëlim të të njëjtave”, shtohet në kumtesën e MF-së.

Është përgatitur Ligj i ri për akciza, i cili parasheh më shumë përfitime. Parashikohet edhe akciza për prodhimet e duhanit dhe pijeve alkoolike të paguhet me lëshimin në qarkullim të produktit. Deri më tani ajo paguhej para kohe, me marrjen e markave të akcizës.

Lehtësohet politika e dënimeve në pjesën e doganave. Me Ligjin për dogana, të miratuar nga Kuvendi, do të realizohet zbatim juridik dhe proporcional i dispozitave për kundërvajtje, në bazë të peshës për kundërvajtjen e realizuar. Po realizohet edhe zvogëlimi i gjobës prej 250 në 50 euro për persona juridik dhe nga 50 në 15 euro për persona fizik, për kundërvajtjet doganore me urdhërpagesë të detyrueshme.

Ministria e Financave përgatiti ligj për garanci, i cili do të mundësojë qasje deri në 100 milionë euro kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ligji është miratuar nga Qeveria dhe ka hyrë në procedurë parlamentare. Pas miratimit të ligjit nga Kuvendi, përmes Bankës së Maqedonisë për mbështetje të zhvillimit kreditë e lira do të jenë në dispozicion për firmat.

Janë bërë ndryshime edhe në Ligjin për sigurim të obligueshëm në komunikacion, me të cilat vërtetohen të drejtat për pagesë të dëmeve të pronarëve të bagazhit dhe të dërgesave.

Me ndryshimet e Ligjit për supervizion të sigurimit, kompanitë e sigurimeve do të jenë të detyruara, që në fat prej pesë ditëve, të gjitha ndryshimet të cilat i bëjnë në kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të polisave për sigurim t’i shpallin në ueb-faqen e tyre. Këto ndryshime janë me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve, si dhe informim më i mirë dhe transparencë më e madhe, shtohet në kumtesën e Ministrisë së Financave.

Marketing