Një ushtar i KFOR-it vdes në gjumë

Sot ka ndërruar jetë në gjumë një ushtar i Ushtrisë Turke i punësuar në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO, në Ekipin Monitorues Ndërlidhës të Gjilanit. Në njoftimin e KFOR-it, thuhet se shkaku i saktë i vdekjes së tij ende nuk është konfirmuar.

Marketing

“Ushtari shërbeu me dallueshmëri dhe kontribuoi përmes shërbimit të tij të përditshëm në përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë.

Përkushtimi dhe angazhimi i tij në mision do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë. Janë njoftuar familjarët e ushtarit të ndjerë”, thuhet në komunikatë.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka shprehur ngushëllimet e tij të përzemërta:

“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje tragjike. Mendimet e mia janë me familjarët dhe miqtë e ushtarit të ndjerë. Humbja e tij ndihet në të gjithë komunitetin e KFOR-it. Ne do ta nderojmë kujtimin e tij përmes përkushtimit tonë të palëkundur ndaj misionit të KFOR-it”.