Nuhiu: Shteti do të ndihmojë viktimat e dhunës

Të gjithë personat që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë janë viktimë të dhunës, fizike, psikike apo materiale shteti do t’u ofrojë ndihmë dhe dëmshpërblim. Kështu deklaroi Agim Nuhiu, zëvendësministër i Drejtësisë, që është propozues i ligjit për dëmshpërblim të viktimave të dhunës që sot kaloi filtrin e Komisionit për Çështje Evropiane. Sipas Nuhiut, qëllimi i këtij ligji është që shteti t’u dalë në ndihmë viktimave të dhunës teksa kërkojnë asistencë mjekësore dhe iniciojnë procedurë penale.

Marketing
“Të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilët do të jenë viktimë të veprave penale të dhunshme do të mund të kërkojnë komisionit të veçantë, që komisioni t’u ndajë mjete të caktuara financiare që të mund ata të kërkojnë eliminimin e pasojave të dëmit që do të përjetojnë nga veprat penale të dhunshme dhe në anën tjetër edhe të ndjekin procedurat penale, sepse ata mund të jenë edhe insolventë, të mos kenë aftësi paguese të kërkojnë trajtim shëndetësorë apo edhe të iniciojnë procedurë gjyqësore…Të gjithë personat që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë do të jenë viktimë nga veprat penale të dhunshme sigurisht se do të kenë të drejtë të zbardhet drejtësia dhe në anën tjetër për t’i shuar vuajtjet shpirtërore, psikike, dhimbjet, morale, pra të gjitha viktimat”, tha Agim Nuhiu, zv. ministër i drejtësisë.

Në debatin e komisionit u diskutua mbi mënyrën e përcaktimit të dëmshpërblimit, lartësinë e tij, përfshirjen si dhe mënyrën e formimin të komisionit që do të bëjë vlerësimin. Ky propozim ligj sot e kaloi filtrin e komisionit për çështje evropiane, dhe u përcjell për në procedurë të mëtejshme. Nga 7 amendamentet e VMRO-DPMNE-së, 4 u pranuan, ndërsa u pranuan edhe dy amendamente tjera të shumicës, që kishin të bëjnë me çështje teknike.

“Mendoj se nuk mund të matet se si do të sillet një viktimë pas veprës, si do të jetë sjellja e viktimës pas asaj dhe kjo të jetë parakusht e përcaktimit të lartësisë së dëmshpërblimit që ajo viktimë duhet ta merr si ndihmë nga shteti. Secili njeri ndryshe reagon ndaj ngjarjeve të caktuara të pakëndshme dhe nuk mund të jetë kusht për atë se sa do të jetë lartësia e dëmshpërblimit”, u shpreh Dejanço Eftimov, VMRO-DPMNE.

Në ndërkohë të dhënat e Prokurorisë Themelore Publike Shkup, flasin për rritje të numrit të kallëzimeve penale krahasuar me vitin e kaluar.

“Në PTHP Shkup në 9 muajt e parë të këtij viti janë pranuar 315 kallëzime penale që kanë të bëjnë me vepra penale kundër jetës dhe trupit nga kapitulli 14 i Kodit Penal. Krahasuar me të gjithë vitin 2021 ku në prokurorinë e Shkupit ishin pranuar 302 kallëzime penale për këto vepra”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike-Shkup.

Nga prokuroria sqarojnë se nga fillimi i vitit, janë pranuar edhe 129 kallëzime penale që kanë të bëjnë me kapitullin 15 të Kodit Penal, e që përfshijnë vepra penale kundër lirive dhe të drejtave të qytetarëve, me përfshirje edhe të rrezikimit të siguresë. Për krahasim, gjatë gjithë vitit 2021 në PTHP Shkup ishin dorëzuar po aq kallëzime penale sikurse në 9 muajt e parë të këtij viti 129./Alsat.mk