Nuk arrihet marrëveshja me UEFA-në, Milan përjashtohet nga Europa League?

Plani i prezantuar nga administratori Fassone nuk i bindi drejtuesit e institucionit që drejton futbollin në Europë.

Marketing

Lajme të këqija për Milanin nga Nioni. UEFA refuzoi marrëveshjen e propozuar nga klubi italian, për të evituar sanksione dhe për tu rikthyer në parametrat e “fair play financiar”. Plani i prezantuar nga administratori Fassone nuk i bindi drejtuesit e institucionit që drejton futbollin në Europë.

Pas refuzimit të propozimit të 15 dhjetorit të kaluar, ky është refuzimi i dytë për kuqezinjtë. Tashmë Milani do të përballet me sanksionet e UEFA-s, të cilat do të publikohen brenda datës 15 qershor.

“Djalli” rrezikon minimalisht një paralajmërim, të shoqëruar edhe nga një gjobë e kripur. Megjithatë frika më e madhe lidhet me bllokimin e merkatos, por ndoshta edhe me përjashtimin nga edicioni i ri i Europa League, pjesëmarrje të cilën skuadra e Gattuso-s e fitoi duke u pozicionuar në vendin e gjashtë në Serinë A.

Refuzimi i UEFA-s lidhet me faktin që pronari kinez Li Yonghong nuk ka realizuar ende rifinancimin e fondeve për klubin. Sipas drejtuesve në Nion, të ardhurat e fondit “Elliot” nuk garantojnë vazhdimësinë e likuiditetit të klubit dhe për këtë arsye përfaqëson një rrezik serioz edhe për projektin sportiv të Milanit.

Marketing