Një mega-operacion i zhvilluar nga Guardia di Finanza dhe Antimafia e Triestes ka goditur klanin ‘del Golfo’ dhe kanë sekuestruar 4.3 ton kokainë e 2 milionë euro para të gatshme, përfshirë mjete transporti si kamion dhe fuoristradë.
Ky është një ndër konfiskimet më të mëdha të drogës në Europë. Janë lëshuar urdhër-arrestet për 38 personave në Itali, Slloveni, Kroaci, Bullgari, Holandë dhe Kolumbi, të gjithë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Mes tyre ka agjentë, tregtarë me shumicë dhe transportues droge, shkruajnë mediat italiane.
Hetimi filloi më shumë se një vit më parë me bashkëpunimin e drejtësisë italiane, policisë kolumbiane, së bashku me agjencinë amerikane të Hetimeve të Sigurisë Kombëtare.
Për 4300 kilogramët kokainë të sekuestruara janë paguar për 96 milionë euro nga grupet kriminale dhe janë rishitur në tregun italian për të paktën 240 milionë euro. Mega-operacioni i ka dhënë një goditje organizatës së fuqishme kriminale të “Klanit del Golfo” , më i rëndësishmi në mesin e narkotikëve kolumbianë.
Sekuestrimi i drogës u realizua në një vit hetime, nga 19 dërgesa kokaine të kontrolluara që nga maji i vitit 2021 deri në majin e vitit 2022. Clan del Golfo është i lidhur edhe me Shqipërinë pasi është kapur duke shpërndarë kokainë për trafikantët shqiptarë. Një nga rastet që u zbulua lidhja me shqiptarët ishte kur u kap kontejneri me banane i Arbër Çekajt, ku ishin të fshehur 613 kg kokainë. Kjo sasi kokaine, e vlerësuar në tregun kolumbian 37 milionë dollarë, ndërsa në atë evropian 180 milionë dollarë, i përkiste grupit të armatosur “Clan del Golfo” që furnizoi trafikantin shqiptar.