Osmani: Jehona nga Ohri dhe Prespa do të dëgjohet fuqishëm dhe larg nëpër botë (VIDEO)

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, si nikoqir dhe organizator i Konferencës më të madhe ndërkombëtare që Maqedonia e Veriut e ka organizuar ndonjëherë, sot, gjatë mbajtjes së Forumit të Prespës për Dialog, në Ohër pati konferencë për shtyp, me temë kushtuar kësaj ngjarjeje.

Marketing

Kjo Konferencë në një vend e mblodhi të gjithë rajonin, mblodhi përfaqësues me ndikim nga Bashkimi Evropian, përfaqësues të shumë organizatave multilaterale, të nismave rajonale, përfaqësues të vendeve anëtare të Unionit, të SHBA-ve etj. Organizata joqeveritare më me ndikim, analistë, përfaqësues akademikë kanë ardhur sot në Ohër dhe Oteshevë, të bashkuar nën ombrellën e Forumit të Prespës për Dialog.

Osmani informoi se sot, në një vend, kemi kryetarë të shteteve, kryeministra, më shumë se 20 ministra, jo vetëm nga rajoni, por edhe nga e gjithë Evropa dhe SHBA-të, më shumë se 100 gazetarë të huaj të cilët e mbulojnë ngjarjen, gjë që flet për rëndësinë e saj dhe në këtë kontekst, ai theksoi se jehona nga Ohri dhe Prespa do të dëgjohet fuqishëm dhe larg nëpër botë.

“Ohri jo rastësisht është zgjedhur si vendi ku mbahet kjo ngjarje, që bartë simbolikë të dyfishtë. Këtu ishim para 20 viteve, kur u nënshkrua Marrëveshja historike e Ohrit, e cila i vu themelet dhe hapi rrugën për dy Marrëveshjet e ardhshme që erdhën më pas: atë të Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për miqësi me Bullgarinë. Ndërtuam një platformë të këtillë mbi bazën e tri marrëveshjeve. Në fakt, këto janë themelet dhe tri kthesat e rrugës sonë drejt ndërtimit të shtetit tonë modern, demokratik, ndërsa emëruesi i përbashkët i të tri marrëveshjeve është se të gjitha janë arritur nëpërmjet dialogut. Pikërisht këto e prezantojnë rrëfimin tonë autentik dhe shërbejnë si frymëzim për vendosje të dialogut në Forumin e Prespës, si platformë për avancimin e pajtimit, ndërtimit, besimit dhe dialogut politik”, theksoi Osmani.

Ministri informoi se në Forum do të mbizotërojnë tema për diplomacinë, për marrëdhëniet ndërkombëtare, realitetin gjeopolitik dhe sfidat bashkëkohore, se do të bëhen përpjekje për të gjetur mënyrë që të plotësohet pjesa që mungon dhe ta bëjmë Evropën të plotë, që në fakt është edhe tema e kësaj Konference, të bisedohet për pjesën evropiane që mungon.


Osmani theksoi se Paneli për të ardhmen e Evropës paraqet përparim pionier për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë Konferencë, e cila, bashkë me Shërbimin evropian për politikë të jashtme dhe të sigurisë dhe shoqërinë civile nga rajoni, por edhe nga Gjermania, përçojnë zërin e rajonit për këtë ngjarje.

“Siç tashmë theksova, kjo është ngjarja më e madhe që e kemi organizuar, që paraqiste sfidë në çfarëdo aspekti: në atë organizativo-teknik, protokollar, e deri sfidë politike, për të qenë nikoqir i mysafirëve më të lartë nga rajoni, nga Evropa, madje edhe nga SHBA-të. Këtu përfundoj dhe Ju ftoj të vazhdojmë t’i ndjekim përmbajtjet e kësaj Konference, shkëmbimin e mendimeve, ideve, të cilat do të sjellin konkluzione të frytshme që do të lënë vulë jo vetëm për vendin por edhe për tërë rajonin”, përfundoi Osmani.

https://www.youtube.com/watch?v=ytBwBRU1kcw

Marketing