Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, më 14 dhe 15 maj ka marrë pjesë në takimin joformal ministror të NATO-s në Berlin. Në fokusin e takimit ishte situata aktuale e sigurisë, pas invazionit ushtarak rus në Ukrainë, si dhe implikimet e mundshme të luftës për aleatët dhe pozicioni mbrojtjes i NATO-s në të ardhmen.
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s iu referuan përgatitjeve për Konceptin e ri Strategjik të Aleancës, të Samitit të ardhshëm të NATO-s në Madrid dhe rezultatet e pritura prej tij.
Në takim morën pjesë edhe Ministrat e Jashtëm të Finlandës dhe Suedisë, të cilët informuan aleatët e NATO-s mbi zhvillimet e fundit në të dy vendet dhe dinamikën e vendimmarrjes, si dhe kahjet e veprimit në kuadër të aspiratave të mundshme për anëtarësimin e tyre në NATO.
“Maqedonia e Veriut, si anëtarja më e re e NATO-s, mbështet politikën e dyerve të hapura të Aleancës. Aspiratat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO janë një hap i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit transatlantik. Rrjedhat aktuale gjeopolitike po e shtyjnë Ballkanin Perëndimor gjithashtu lart në agjendë. Rajoni është një pjesë e pashmangshme e arkitekturës së ardhshme evropiane të sigurisë. Në këtë kontekst, dëshiroj të ritheksoj se perspektivat e BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të konsiderohen si politikë strategjike e sigurisë”, tha Osmani.
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani në margjinat e takimit pati takime bilaterale me homologët e tij nga Ukraina Dmitro Kuleba, Mali i Zi, Ratko Krivokapiq dhe Holanda Vopke Hoekstra.