Osmani: Mbështetja e Greqisë për fillimin e negociatave konfirmim për miqësinë e ripërtërirë mes dy vendeve

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot ishte nikoqir i delegacionit të Republikës së Greqisë kryesuar nga Ministrja alternative për Punë të Jashtme, Atanasia Anagnostopulu.

Marketing

Në takim u hapën temat lidhur me integrimet euro- atlantike të vendit, përmbushja e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës, mbështetja e Greqisë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në, bashkëpunimi bilateral mes dy vendeve, në veçanti përmes bashkëpunimit ndërkufitar që kohë të gjatë po realizohet me fondet e IPA-s, si dhe mundësitë për bashkëpunim rajonal.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës shënoi epokën e re të marrëdhënieve bilaterale mes vendeve tona, ndërkaq periudha që pason do ta shënojë momentumin e ri në procesin euro- integrues të Maqedonisë së Veriut me konfirmimin e pritur të vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, theksoi Osmani, duke potencuar se progresi në marrëdhëniet politike mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të konfirmohet me mbështetjen e fuqishme të Greqisë në periudhën e ardhshme, para samiteve të qershorit.

Në kuadër të takimit Zëvendëskryeministri Osmani dhe Ministrja Anagnostopulu diskutuan për mundësitë për bashkëpunim të administratës mes dy vendeve për avancim, bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave në rrjedhën e përgatitjeve të administratës dhe pjesës tjetër të strukturës negociuese për fillim të suksesshëm të negociatave me Bashkimin Evropian.

Marketing