Osmani-Welch: Rezoluta në Senatin e ShBA-së është edhe një konfirmim se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk ka alternativë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot zhvilloi bisedë telefonike me senatorin amerikan, Peter Welch.
Gjatë bisedës, Ministri Osmani e falënderoi senatorin Welch për dorëzimin e Rezolutës në Senatin e ShBA-së për mbështetjen e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Njëherit, theksoi se Rezoluta, e cila mbështetet nga senatorët e Partisë Demokratike dhe Republikane, nga njëra anë paraqet konfirmim shtesë se procesi ynë i integrimit evropian nuk ka alternativë, por në të njëjtën kohë është edhe inkurajim për Unionin se duhet të përshpejtohet rruga jonë drejt anëtarësimit të plotë.​
“Rezoluta është edhe një demonstrim i mbështetjes së fuqishme të SHBA-së për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe dëshmi e aleancës së fortë mes dy vendeve në përmbushjen e qëllimit të përbashkët strategjik – anëtarësimit tonë në BE. Ajo është në linjë edhe me angazhimet tona të përbashkëta në kuadër të Dialogut Strategjik me SHBA-në, të cilin e kemi lançuar me Sekretarin e Shtetit, Blinken në qershor të vitit 2022”, theksoi Osmani.
Bashkëbiseduesit, duke iu referuar tekstit të rezolutës, përshëndetën progresin e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e Agjendës së Reformave, mbështetjen për Ukrainën, si dhe partneritetin afatgjatë strategjik dhe aleancën në NATO ndërmjet dy vendeve. Po ashtu u theksua edhe lidershipi i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut gjatë kryesimit të OSBE-së në vitin e kaluar dhe konkretisht vizita e fundit e Sekretarit të Shtetit, Blinken, në vend dhe takimi me Ministrin, Osmani.
Rezoluta për mbështetjen e hyrjes së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian sponsorizohet nga Senatori Demokrat i Vermontit, Peter Welch, Senatori Demokrat i New Hampshire, Jeanne Shaheen dhe Senatorët Republikanë të Nebraskës dhe Karolinës së Veriut, Pete Ricketts dhe Tom Tillis.