Promovime, shoqërime me autorë, seminare dhe ngjarje të tjera do të jenë pjesë e edicionit jubilar të 30-të të Panairit të librit që fillon nesër dhe do të zgjasë deri më 9 maj. Panairi do të mbahet në VIP arenën Boris Trajkovski, e organizon Panairi i Shkupit, ndërkaq është nën patronatin e Ministrisë së Kulturës. Është paralajmëruar pjesëmarrja e rreth 70 shtëpive botuese nga Maqedonia dhe nga rajoni: Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.
Krahas pjesës ekspozuese-shitëse, është paraparë hapësirë e posaçme për të ashtuquajturën Qendër promovuese ku do të zhvillohen ngjarjet. Pjesë e programit të Qendrës promovuese është edhe ndarja e çmimeve në organizim të Asociacionit të botuesve nga Maqedonia (ABM) që është caktuar për të shtunën, 5 maj në orën 18:00, si dhe ndarja e çmimeve organizuar nga Shoqata e botuesve dhe librarive të Maqedonisë (SHBLM) që do tl mbajet të martën, më 8 maj në orën 19:00)
Të gjithë që do ta vizitojnë Panairin e librit do të mund t’i ndjekin promovimet të cilat i organizojnë shtëpitë botuese në standet e veta, për t’i aprë të gjithë titujt e ri, por edhe të furnizohen me libra me zbritje të mëdha panairesh deri 70 për qind.
Për qasje më të mirë drejt Panairit, me kërkesë të Panairit të Shkupit, JSP vendosi dy linja të reja të autobusit nga anë të ndryshme të Shkupit me numër 100/1 dhe 200/1 të cilët do të çojnë drejt Vip Arenës “Boris Trajkovski”, ndërsa hyrja për të gjitha vizitat grupore të organizuara të nxënësve do të jetë pa pagesë. Orari i punës i Panairit është prej 10:00 deri në orën 20:00. Çmimi i biletës hyrëse është 30 denarë.