“Pançe Karagjozov” kërkon këmbim të paraleleve

Nxënësit më të mirë të shkollave nëntëvjeçare rrezikojnë të mbesin pa një vend të mirë regjistrimi në shkollat e mesme. Në vrapin për tu bërë infermierë, stomatologë, farmacistë dhe fizioterapeutë, shumë nxënës të shkëlqyeshëm në afatin e parë të regjistrimit kanë mbetur pa fituar një vend në paralelet shqipe të shkollës së mesme “Pançe Karagjozov” në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Pjesa dërmuese e kësaj kategorie nxënësish, që bazuar në rezultatin e pikëve të përllogaritura nga suksesi i notave të arsimit fillor i bie të jenë nxënësit më të mirë, kanë konkurruar në drejtimin e infermierisë (motrave medicinave). Por në bazë të Konkursit që ka shpallur Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për regjistrimin e nxënësve në vitin shkollor 2018/2019, për këtë drejtim në paralelet me gjuhën shqipe janë planifikuar vetëm 102 vende, pra tre paralele.

Marketing

Nga ana tjetër, interesimi i nxënësve për këtë lloj shkollimi është dyfish më i madh. Vetëm në paraqitjen e parë të afatit të qershorit, për këto tre paralele kishin konkurruar 222 nxënës, prej të cilëve vetëm tre nuk i plotësonin kushtet, pra kishin më pak se minimumi i pikëve të kërkuara me Konkurs. Listat e publikuara me emrat e nxënësve që kishin konkurruar për drejtimin e infermierisë, të publikuara që të mërkurin në hapësirat e shkollës, tregojnë se krahas 102 nxënësve të pranuar, janë edhe 117, të cilët i plotësojnë kushtet për pranim, kanë mbi 71 pikë, mirëpo gjenden poshtë “vijës së kuqe”.

Sherif Selimi, përgjegjësi i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në shkollën “Pançe Karagjozov”, thotë për KOHA se interesimi për këtë lloj drejtimi është sa herë i madh. Mirëpo, plotëson më tej ai, numri i paraleleve që na lejohen nga ana e MASH-it është i vogël, vetëm tre paralele. Prandaj, sipas tij, mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemit do të ishte këmbimi i paraleleve brenda vetë shkollës apo në kuadër të numrit të përgjithshëm të paraleleve të të gjitha drejtimeve. “Kështu, në vend që të hapim paralelen e drejtimit përkujdesës shëndetësor, për të cilin edhe ashtu nuk ka interesim të mjaftueshëm nxënësish, këtë paralele mund ta kalojmë si paralele të ketërt të drejtimit infermieri. Jo se me këtë paralele mund të pranojmë të gjithë ata të cilët kanë konkurruar, sepse janë shumë, por të paktën nuk do të largonim nga shkolla të 34 nxënës të shkëlqyeshëm”, pohon Selimi.

Për këtë çështje, ai thotë se ka kontaktuar edhe zyrtarët e ministrisë të Arsimit dhe Shkencës, të cilëve u ka kërkuar të lejojnë këmbimin e paraleleve, pra të mos formohet drejtimi për përkujtesës dhe në vend të saj të shtohen paralelet e infermierisë.

Për drejtimin e përkujdesësve, paraleles që ai konsideron se nuk është kush e di sa e nevojshme, pasi një numër i madh i atyre që regjistrohen këtu janë me sukses jo të mirë të notave, deri tani janë paraqitur tetë kandidatë, ndërsa kanë mbetur të lira 26 vende.

Madje, gjysma e atyre që u regjistruan vjet në këtë drejtim do ta përsërisin të njëjtin vit shkollimi. Ndërkaq, sipas numrit të nxënësve të paraqitur deri tani, kjo paralele rrezikon të mos formohet, për mungesë të mjaftueshme nxënësish. Për formimin e një paralele, sikurse dihet, nevojiten të paktën 25 nxënës në klasë dhe maksimumi 34 nxënës. Që t’ju kërkosh nxënësve kandidatë për në infermieri të transferohen në paralelen e përkujdesësve, nuk tingëllon as etike pasi ata disponojnë nga 71 dhe më tepër pikë, ndërsa për paralelen e përkujdesësve mjaftojnë edhe 30 pikë. Por, përgjegjësi Selimi thotë se mund të gjendet një zgjidhje edhe atë shumë e mirë.

“Një paralele të përkujdesësve ka edhe në shkollën e mesme të kimisë “Maria Kiri Skllodovska”, ku gjithashtu janë paraqitur shumë pak kandidatë. Kështu që, nëse tetë kandidatët e shkollës sonë dërgohen në paralelen e njëjtë të asaj shkolle, do të krijoheshin numrat për formimin e paraleles dhe në këtë mënyrë do ta kishin të sigurt regjistrimin të dyja palët”, propozon përgjegjësi i paraleleve të SHMM “Pançe Karagjozov”. Në të njëjtën kohë, sipas tij, do të do të krijoheshin mundësitë që në vend të tre paraleleve infermieri të formohen katër paralele dhe me këtë të pranohen jo vetëm 102 por 136 nxënës. (koha.mk)

Marketing