Parregullsi në respektimin e të drejtave të punëtorëve

Inspektorati Shtetëror i Punës ka konstatuar një sërë parregullsish te disa kompani sa i përket respektimit të të drejtave të të punësuarve. Raporti i fundit i Inspektoratit ka treguar se shkeljet më të shpeshta që kompanitë bëjnë ndaj punëtorëve janë te pagat dhe kompensimet në para, te pushimet e tyre dhe mungesat, shkelje në mosdhënien e vendimeve të punës si dhe për ndërprerjen e kontratës së punës.

Marketing

Nga ky Inspektorat thonë se një numër i konsiderueshëm i parregullsive është konstatuar gjatë inspektimeve të jashtëzakonshme të cilat janë bërë me kërkesë të punëtorëve.

“Gjatë vitit të shkuar gjithsej janë kryer 20 mijë e 503 kontrolle inspektimi. Prej tyre 2 mijë e 474 kanë qenë kontrolle të jashtëzakonshme të cilat janë kërkuar të bëhen nëpër kompani me kërkesë të punëtorëve. Inspektorati shtetëror i punës ka dhënë gjithsej 4 mijë e 109 vendime për parregullsitë e konstatuar.

Numri më i madh i vendimeve gjegjësisht 1 mijë e 477 kanë të bëjnë me dhënien e pagave të punëtorëve si dhe kompensimeve. Gjatë vitit 2017 në Inspektorat janë dorëzuar 2 mijë e 474 ankesa të parashtruara nga ana e punëtorëve ku numri më i madh i ankesave kanë të bëjnë dhënien e pagave dhe kompensimeve si dhe me ndërprerjen e punës”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

Sipas Ligjit për siguri, gjatë punës çdo kompani është e detyruar që të ketë të punësuar person adekuat i cili do të mbikëqyr gjendjen fizike të punëtorëve nëse ata kanë gatishmëri shëndetësore për të kryer atë lloj pune. Nga Instituti i Mjekësisë së Punës thonë se kompanitë e mesme dhe të vogla thuajse aspak nuk e respektojnë këtë detyrim ligjor.

Nga ky Institut tregojnë se punëtorët e montimit elektrik, ata të ndërtimtarisë, administratorët dhe punëtorët e tekstilit janë profesionet tek të cilat paraqiten më së shumti sëmundje të cilat fitohen në punë.

Mund të konstatohet se ndërmarrjet apo kompanitë më të mëdha i plotësojnë shërbimet dhe detyrimet ligjore, por gjendje nuk është e njëjtë tek kompanitë e mesme dhe të vogla. Ata që konstatuam nga hulumtimet disa vjeçare tek grupe të ndryshme punëtorësh, është se ekzistojnë mjaft faktorë rreziku tek vetë punëtorët. Ndër to do të theksoja mungesën e aktivitetit fizik tek to.

Mund të themi se vetëm 40% e punonjësve të tekstilit tregojnë se kanë njëfarë aktiviteti fizik, punëtorët e ndërtimtarisë vetëm 32% kanë aktivitet fizik ndërkaq administratorët ende më pak, gjegjësisht 26-30% kanë aktivitet fizik – deklaroi Sashe Stoleski, Instituti i Mjekësisë së Punës.

Pakënaqësitë e tyre nga punëdhënësi, punëtorët mund t’i paraqesin në mënyrë elektronike tek faqja e Inspektoratit Shtetëror të Punës por dhe përmes linjës telefonike.

Marketing