Partia e Erdoganit nuk e pranon rezultatin në Stamboll

Partia në pushtet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan ka vendosur ta sfidojë rezultatin tejet të ngushtë të zgjedhjeve lokale të së dielës në Stamboll.Lajmin e përcjell “Reuters”, duke cituar gazetën turke “Hurriyet”.

Marketing

AKP-ja është duke e humbur kontrollin e dy qyteteve më të mëdha të Turqisë, e kjo surprizë e votimeve të përpara dy ditëve mund t’i komplikojë planet e Erdoganit për të luftuar recesionin.

Kandidati i opozitës në Stamboll, Ekrem Imamoglu, i Partisë Popullore Republikane (CHP), kryeson me rreth 25.000 vota ndaj rivalit të tij të AKP-së, ish-kryeministrit Binali Yildirim.

Ky i fundit pretendon se rezultatet e 84 kutive të votimit nuk janë zbardhur ende, për shkak të pretendimeve për parregullsi, përcjell Top Channel.

“Do ta uroj Imamoglunë nëse fiton, – tha Yildirim, – por jo pa përfunduar i gjithë procesi i numërimit”.

Ekspertët mendojnë se humbja e Stambollit është ajo që i dhemb më shumë Erdoganit, sepse është qyteti ku u rrit dhe, një fitore atje do të ishte për të si të kishte marrë të gjithë Turqinë.

Marketing