Partitë politike në Maqedoni kundërshtojnë mundësinë e ndarjes së Kosovës, respektivisht të ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Partia më e madhe në pushtet, LSDM-ja mbron parimin e mos-ndarjes së kufijve dhe atë të përmirësimit të raporteve ndër-fqinjësore.
“LSDM-ja përfaqëson parimin e mos-ndryshimit të kufijve në Ballkan. Politikat e LSDM-së janë të orientuara drejt integrimit të mbarë rajonit, ndërtimit të miqësisë, zhvillimit dhe përparimit të raporteve me fqinjët. Vetëm në këtë mënyrë rajoni mund të shkojë përpara drejt zhvillimit, përparimit dhe prosperitetit, që është në interes të gjithë qytetarëve.”, thuhet në komentin e LDM-së.
Nga BDI-ja thonë se tema të këtilla as që duhen diskutuar, pasi rajoni është në rrugë të mbarë për integrim në strukturat euro-atlantike.
“Kryetari Ahmeti është prononcuar disa herë në lidhje me temën e imponuar të ndryshimit të kufijve duke thënë se rajoni është në rrugë të duhur të paqes, sigurisë, stabilitetit, integrimit euro-atlantik dhe zhvillimit ekonomik. Prandaj skenarët e tillë që mund të nxisin domino efekt në gjithë rajonin, nuk duhet të zënë vend në diskursin publik”, thuhet në deklaratën e BDi-së.
Zëdhënësi i partisë më të madhe opozitare, VMRO DPMNE-së, Dimçe Arsovski për Alsat M konfirmoi se partia e tij është kundër ndryshimit të linjave kufitare.
“Ne jemi kundër çfarëdolloj korrigjimi të kufijve”- tha Dimçe Arsovski, VMRO DPMNE.
Derisa nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se shqiptarët nuk kanë më territore për të humbur.
“Nuk ka asnjë kuptim të bëhet tregti me tokën tonë. Shqiptarët nuk kanë më territore për të humbur, përkundrazi”.
Mundësinë e korrigjimi të vijës kufitare Kosovë-Serbi e paralajmëroi Presidenti kosovar, Hashim Thaçi, tani që janë intensifikuar bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve të hapura.