Pas pauzës njëvjeçare, El Hilali e realizoi projektin e synetimit

Dje në Shkup, në hapësirat e monumentit historik Kurshumli Han, pas një ndërprerje njëvjeçare, për shkak të pandemisë, u realizua manifestimi qendror i projektit tradicional programor “Synetimi i fëmijëve”. Këtë ngjarje, e cila u zhvillua nën respektimin e masave të rrepta anti-covid, me prezencën e tij e nderoi kryetari i Bursës, z. Alinur Aktash, i cili në Shkup kishte ardhur enkas për këtë qëllim me një delegacion tetëmbëdhjetë anëtarësh.

Marketing

Qyteti i Bursës është mbështetësi kryesor i këtij projekti, të cilin Organizata Humanitare e realizon 15 herë radhazi në bashkëpunim edhe me komunën Çair. Sivjet me këtë projekt u përfshinë gjithsej 303 fëmijë, të cilëve falas iu siguruan rrobat tradicionale të synetimit dhe mjeku.

Për një pjesë të fëmijëve akti i synetimit u bë në Kumanovë, Radovish, Shtip dhe Koçani, kurse pjesa tjetër e tyre në Shkup. Defilimi i fëmijëve nga Shkupi, programi artistik me muzikë mistike dhe valle popullore, këndimi i pjesëve nga Kurani famëlartë ishin pjesë e programit të djeshëm, ku me fjalimet e vet u paraqitën Ali Sadiku, sekretar i El Hilalit, Behixhudin Shehapi, kryetar, Zahir Bekteshi në emër të komunës Çair dhe Alinur Aktashi, kryetar i Bursës.

Në fund, duanë e synetimit e bëri Mustafa Mestan, këshilltari për çështje fetare pranë ambasadës së Turqisë në Shkup. Manifestimi përfundoi me koktej rasti.