Pas skandalit me mishin e prishur, Kosova zero kilogram import nga Belgjika

Skandali i fillim vitit me mishin e prishur të importuar nga shteti i Belgjikës ka vënë në “aksion” Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Para zbulimit të skandalit me mishin e prishur të kompanisë “Veviba” nga Belgjika, rëndom afër 200 mijë kilogramë mish importoheshin nga ky shtet për në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Marketing

Megjithatë, kosovarëve më nuk “po u servohet” në tryezat e tyre mish nga Belgjika.

“Bazuar në procedurat standard të kontrollit kufitar, akteve ligjore në fuqi, pas çdo defekti apo dyshimi të paraqitur në inspektim kufitar, shtohen ose ngritet niveli i kontrollit kufitar”.

Kështu thotë për lajmi.net zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi, teksa shton se e njëjta masë vlen edhe për shtetin e Belgjikës pas skandalit të zbuluar me produktet e prishura.

Madje siç thotë Thaçi, mishi nga ky shtet është i shënjuar për kontroll të detajuar dhe verifikim të plotë.

E frika se një skandal i tillë, në një mënyrë ose tjetrën mund të përsëritet, siç duket i ka detyruar autoritetet kosovare që mos të importojnë fare më mish nga ky shtet.

Thaçi thotë se sasia e mishit të importuar nga Belgjika pas skandalit të zbuluar është zero kilogram.

“Në vitin 2018 nuk ka pasur import te mishit nga shteti i Belgjikës. Pas rastit që ka ndodhur sasia është 0 kg, pasi nuk ka pasur import”, ka bërë të ditur Lamir Thaçi.

Kujtojmë, se në lidhje me të njëjtën çështje ishte arrestuar biznesmeni dhe njëkohësisht pronari i kompanisë “Euro-Ida” , Anton Jupa .

I njëjti dyshohej se kishte importuar mish gjedhi me afat të skaduar nga shteti i Belgjikës./E.Dragaj