Pendarovski në Varshavë dekorohet me Urdhërin e Shqiponjës së Bardhë

 Presidentit të shtetit Stevo Pendarovski sot në Varshavë, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Polonisë, iu dha dekorata më e lartë polake, Urdhri i Shqiponjës së Bardhë, si simbol i marrëdhënieve të ngushta diplomatike dhe politike ndërmjet dy shteteve dhe presidentëve dhe konfirmim i miqësisë dhe partneritetit maqedono-polake.

Marketing

Me Urdhrin “8 Shtatori”, presidenti Pendarovski, njoftuan nga kabineti i tij, e dekoroi Presidentin e Republikës së Polonisë, Andzhej Duda, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kultivimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Polonisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, për përfaqësimin e tij të përkushtuar dhe forcimin e synimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut, me qëllim anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve në plan socio-kulturor, i cili kontribuon për proceset demokratike të vendit tonë.

Kreu i shtetit Pendarovski ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Polonisë. Në mëngjes në Varshavë ai u prit me nderime shtetërore dhe ushtarake nga Presidenti i Republikës së Polonisë, Andzhej Duda, pas së cilës u zhvillua takimi tet-a-tet i dy presidentëve dhe takimi plenar i delegacionit maqedonas dhe polak.

Pasdite, siç është paralajmëruar, Pendarovski do të ketë takim me kryeministrin e Republikës së Polonisë, Mateuzh Moravjecki, ndërsa së bashku me presidentin Duda, do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim në takimin me përfaqësues të odave dhe bizneseve polake dhe përfaqësues të Maqedonisë nga sektori i biznesit.