Pendarovski nga Forumi i Prespës për Dialog kërkon më shumë sinqeritet nga BE-ja

Në Forumin e Prespës për Dialog (FPD) u mbajt sesioni i nivelit të lartë i titulluar “Çfarë pas luftës në Ukrainë?”, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Fjalimin hapës në këtë sesion e mbajti presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili tha se projekti i papërfunduar evropian ka pasoja të sigurisë për rajonin dhe më gjerë.

Duke folur për konfliktin në Ukrainë, ai rikujtoi se Rusia aneksoi në vitin 2014 Krimenë, duke shtuar se të çdokush në Evropë shumë shpejt iu rikthyen normalitetit me Rusinë.

Pendarovski gjithashtu tha se Rusia para luftës në Ukrainë, ka tentuar të komprometojë demokracitë perëndimore, mes tjerash me lajme të rreme, duke shtuar se Rusia do të vazhdojë të bëjë këtë edhe pas luftës në Ukrainë.

“Çka nëse ne në Evropë fillojmë të sillemi sikur asgjë nuk ka ndodhur pas luftës në Ukrainë? Ky është shqetësimi im më i madh për momentin”, tha mes tjerash presidenti Pendarovski.

Ai gjithashtu u shpreh se mbështetja për Bashkimin Evropian (BE) ka rënë në mënyrë drastike në vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut, duke bërë thirrje për sinqeritet dhe perspektivë të qartë për vendet e rajonit.

“Brukseli duhet të dalë dhe të thotë: Ne vërtet kemi një synim serioz për të integruar Ballkanin Perëndimor në aspektin ekonomik, politik dhe në çdo kuptim tjetër. Përndryshe, gjithnjë e më shumë njerëz do të bëhen skeptikë për projektin evropian dhe regjimet autokratike do të forcohen në rajon”. tha Pendarovski.

Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen se përderisa eurointegrimet janë në pritje, rajoni përballet me “katastrofë demografike”, përkatësisht me migrimin e njerëzve jashtë rajonit.

Në seancën hyrëse fjalime kishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor; i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe i Kroacisë, Zoran Milanoviq. Gjithashtu, paraqitje me video-porosi kishte edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ndërsa pjesa e dytë e sesionit vazhdoi me fjalime të kryediplomatëve të disa vendeve.