Petkov përgatitet për vizitë në Shkup, Parisi nuk do ndarjen e Shqipërisë dhe RMV-së në rrugën drejt BE-së

Në pritje të formimit të kabinetit të ri qeveritar dhe intensifikimit të komunikimit me Bullgarinë për të zhbllokuar rrugën evropiane të vendit, Parisi dërgoi mesazh që Shkupi dhe Tirana të mos ndahen në rrugën e tyre për integrimin në BE, ndërsa nga Sofja, ku nuk ulen reagimet për “propozimin” e liderit të partisë Ka një popull të tillë, Sllavi Trifonov për lidhjen e fillimit të negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut me Unionin me heqjen e vizave për shtetasit bullgarë për të hyrë në SHBA dhe pranimin e Bullgarisë në zonën Shengen, arriti informacioni se këshilltarja e politikës së jashtme të kryeministrit bullgar Kiril Petkov, Vesela Çerneva e ka vizituar Shkupin më 2 janar.

Marketing

Siç njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Sofja, duke cituar burime në qeverinë bullgare, Çerneva ishte në Shkup me urdhër të kryeministrit bullgar Petkov, për t’u përgatitur për vizitën e tij të ardhshme në Shkup në fund të këtij muaji.

Vizita e Petkovit pritet pas zgjedhjes së Qeverisë së re në vend, e cila sipas paralajmërimeve duhet të ndodhë më së voni deri në mesin e këtij muaji dhe pas mbledhjes së Këshillit këshillëdhënës për Sigurinë Kombëtare të Bullgarisë, që presidenti bullgar Rumen Radev e thiri më 10 janar kushtuar “temës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”.