Shtyhet gjyqi për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri

Teksa ditën e sotme pritej që të mbahej seanca gjyqësore për ish-ministrin Saimir Tahiri, gjyqi është shtyrë.

Marketing

Seanca gjyqësore pritej që të niste në orën 10:00, por gjithçka ndryshoi duke marrë shkas nga dorëheqja dje e Daniela Shirkës, gjyqtare e çështjes Tahiri.

Në vend të saj është deleguar gjyqtari Florian Kalaja, nga Apeli i Durrësit. Ky i fundit ka kërkuar kohë për t’u njohur me dosjen dhe kjo ka qenë arsyeja për shtyrjen e kësaj seance.

Ndërkaq, më parë kanë dhënë dorëheqjen Miliana Muça dhe Ilirjan Olldashi.

Jashtë dyerve të gjykatës avokati Maks Haxhia ka komentuar edhe situatën e krijuar pas dorëheqjes që dha më 4 janar gjyqtarja Daniela Shirka.

“Kërkesa u paraqit në gjykatë për të parë cili është shkaku, nga avokatët është bërë kërkesë për papajtueshmëri për mos qenë prezent Daniela Shirka se e ndalon procedura për të marrë pjesë në gjykime të njjëjta për të evituar influencën nga e njëjta çështje, nëse shkaku do jetë i njëjtë me atë që kemi kërkuar për të përjashtuar trupin gjykues.”, tha Haxhia.

Mësohet se seanca e radhës do të mbahet më datë 17 janar.

Kujtojmë se ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.

Marketing