10 javë nga aksioni policor në Luboten për sekuestrimin e duhanit, akoma nuk është ngritur asnjë kallëzim penal. Nga Policia Financiare thonë se procedura para hetimore ende vazhdon për veprën penale: “Kontrabandë, mashtrim doganor dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimeve”.
Nga drejtoria e Arafat Muharremit, përmes një përgjigje me shkrim thanë për Alsat se akoma nuk kanë marrë raportet nga ekspertiza e forenzikës digjitale për të dhënat nga pajisjet e konfiskuara kompjuterike të firmave të bastisura dhe nga celularët e banorëve.
“Kallëzime penale nuk janë ngritur pasi që ende vazhdon procedura para hetimore. Pas përfundimit të procedurës dhe pasi të marrim rezultatet e ekspertizës forenzikës digjitale, në konsultim me prokurorin publik kompetent, do të ngritët kallëzimi adekuat penal kundër personave të përfshirë, të cilët kanë kryer krim financiar”, njoftojnë nga Policia Financiare.
Për duhanin e kontrabanduar dyshohej se nuk ka qenë i futur vetëm përmes brezit të gjelbër kufitar, por edhe përmes pikave doganore. Nga Drejtoria e Doganave vazhdojnë të mbajnë pezull dyshimin nëse dikush nga doganierët kanë ndihmuar gjatë importit të duhanit në Luboten. Përveç krimit financiar dhe mashtrimeve doganore, për veprën keqpërdorim të detyrës zyrtare hetohen edhe zyrtarë të disa institucioneve që dyshohen se janë të përfshirë në këtë rrjet trafikimi.
“Ne kemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet e policisë financiare, duke këmbyer informacione me qëllim të mbledhjes së dëshmive për hetimin e kontrabandimit të duhanit në Luboten. Ne nuk kemi kompetent të japim detaje se kush nga zyrtarët dyshohet në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.
Nga Policia Financiare patën deklaruar se target i këtij aksioni janë zbulimi i rrjetit të kompanive, të cilat me duhanin e llojit “Virxhinia” të futur ilegalisht në tregun e vendit pa u paguar banderolat e akcizës, buxhetin e shtetit e kanë dëmtuar për 7.5 milion euro. Një ditë pas aksionit në Luboten, në një operacion të zhvilluar për zbulimin e rrjetit të kontrabandës më duhan u bastisën 5 kompani.
Duhani i papërpunuar, paketimet e tyre dhe makineritë e konfiskuara nga aksioni i 25 qershorit vazhdon të mbetet në depot e Kazermës Gjorçe Petrov. Gjatë bastisjes u konfiskuan 14 ton duhan, për të cilin u konstatua se 95% ishte i kontrabanduar nga jashtë prej trafikantëve fizik dhe juridik, ndërsa pjesa tjetër ishte duhan i kultivuar nga lubotenasit. Banorët thonë se jo vetëm që nuk iu është kthyer duhani i tyre, por nuk kanë asnjë njoftim se kush e organizoi kontrabandën nga jashtë.