Kreatori i ueb faqes vaksajns.mk, e cila dërgon te ueb faqja vaksinacija.mk ku duhet të paraqitemi për t’u vaksinuar kundër Covid-19, Adil Bakiu është ftuar në polici.
Nuk tregon motivin e ftesës, por thotë se Ministria e Punëve të Brendshme shumë më shpejtë e ka gjetur atë, sesa kreatorin e ueb faqes ku u publikuan fotografi inkriminuese të vajzave nga Strumica.
Ndërkaq, nëpërmjet një statusi të shkruar më vonë, ka sqaruar se në Stacionin Policor ka folur për atë si dhe pse e ka krijuar domenin.
“Në SP kemi biseduar për atë si dhe pse dhe aq ishte. Më mbajtën për gjysmë ore. Më duket shumë e rrezikshme kur rastet të tilla satirike hetohen nga organet shumë më shpejtë se sa ato serioze. Dhe ky nuk është një perceptim”, shkroi Bakiu, transmeton TV21.
Gjithçka filloi kur kryeministri Zoran Zaev, duke paralajmëruar vaksinimin në vend, e përdori termin “vaksajns”. Bakiu ka krijuar domen të veçantë me këtë emër, i cili të dërgon në ueb faqen zyrtare të sistemit “Termini im”, Vaksinacija.mk. Nga MPB kanë deklaruar se thirrja në polici ka ardhur si rezultat i denoncimit nga Ministria e Shëndetësisë.