Sipas informacionet të siguruara nga meteo – alarmi i Drejtorisë për punë hidrometeorologjike, i gjithë territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë pesë ditëve të ardhshme do të përfshihet nga temperaturat e larta (prej 29.07-01.08.2021 – prej të enjten deri të dielën) në fazën e portokalltë dhe për ata vlejnë rekomandimet e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, për uljen e rrezikut nga temperaturat e larta për personat të cilët gjenden në hapësirë të hapur, në shtëpi, në vende të punës, rreth liqeneve, lumenjve, pishinave dhe në male, transmeton TV21.
Siç njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, sipas informacioneve të siguruara nga DPHM-ja, duke filluar prej të enjtes (29.07.2021), gjashtë rajonet: i Shkupit, i Osogovës, i Vardarit, i Pellagonisë dhe i Ohrit do të hyjnë në fazën e portokalltë, për çfarë gjendja e valës së nxehtë do të fillojë të vlejë në gjithë shtetin dhe në përputhje me rekomandimet e Qeverisë, prej të mërkurën deri të dielën (29.07-01.08.2021) vlejnë këto rekomandime:
1. Lirim nga vendet e punës dhe obligimet të grupeve më të prekura, siç janë gratë shtatzëna dhe personat e moshës mbi 60-vjeç.
2. Në institucionet për kujdesin e fëmijëve (çerdhet) të mos praktikohen aktivitete fizike dhe të mos i ekspozojnë fëmijët në ambiente të hapura gjatë periudhës prej 11 deri në ora 17.
3. Njësitet e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për punë sociale në rajonet e përfshira nga vala e nxehtë, të kenë qasje më aktive dhe të ofrojnë ndihmë për personat e vetëm e të pamundur dhe të pastrehët.
4. Sa i takon faktit se prodhime të caktuara në rrezik dhe procese teknologjike mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, kujtohen punëdhënësit për detyrimin e respektimit të dispozitave ligjore për këtë fushë.
Sipas informacioneve të marra, Qeveria vendosi:
1. Institucionet dhe organet shtetërore t’i respektojnë rekomandimet.
2. Në të njëjtën kohë, Qeveria rekomandon që sektori privat të organizojë kohën e punës me qëllim që të mbrojë nga ekspozimi direkt i diellit për punëtorët, duke i ikur qëndrimit në ambiente të hapura.
3. Qeveria vendosi që kjo masë të zgjasë 4 ditë, deri në një vendim tjetër.
4. Njëkohësisht, puna në çerdhe të organizohet gjatë periudhës prej orës 7 deri në ora 17.
5. Qeveria ka marrë qëndrim se të gjithë subjektet juridike që kryejnë aktivitete në të hapur, t’i ndërprejnë aktivitetet gjatë periudhës prej orës 11 deri në ora 17.
Kujtojmë që gjatë periudhës së verës është e nevojshme që qytetarët t’i respektojnë masat e përgjithshme vijuese për shëndetin siç janë:
1. Gjatë ditëve të të nxehtit ekstrem, të qëndrohet më shumë në ambiente të mbyllura (para se gjithash të klimatizuara), ndërsa gjatë qëndrimit në të hapur gjatë kësaj periudhe të gjendet mundësi për pushime të shpeshta nën hije.
2. Të mbathen rroba të hapura dhe të lehta, ndërsa gjatë ekspozimit direkt në diell, të mbahen syze dhe kapelë, ndërkaq gjatë rrezitjes të shfrytëzohet krem me faktor mbrojtës të lartë.
3. Të konsumohet sasi më e ulët e ushqimit, kryesisht pemë dhe perime, kurse më pak ushqim të yndyrshëm.
4. Të konsumohen sasi e madhe e lëngjeve, më së miri ujë i thjeshtë për pije, t’u iket pijeve alkoolike.
5. Gjatë hyrjes në vetura, është e nevojshme që e njëjta të ajroset.
6. Të sëmurët kronikë ta marrin rregullisht terapinë, në konsultim me mjekët amë.
Për shkak të temperaturave të larta dhe rritjes së mundësisë për paraqitjen e helmimeve me ushqim dhe të sëmundjeve të zorrëve, rekomandimet janë:
1. Larje e prodhimeve bujqësore para përdorimit të tyre.
2. Përgatitje termike e ushqimit dhe konsumimit të tij në afat sa më të shkurtër kohor. Nëse kjo nuk bëhet, ushqimi i përgatitur të vendoset në frigorifer në +4 gradë, kurse para përdorimit i njëjti të nxehet në +100 gradë.
3. T’u iket prodhimeve që nuk përpunohen termikisht, si majonezi nga vezët shtëpiake, kurse me vëmendje të konsumohet akullorja dhe kremërat e ndryshëm.
“Gjithashtu, informojmë se institucionet shëndetësore janë të përgatitur me kapacitet të mjaftueshëm (humane, hapësinore) dhe terapi medikamentoze për përballje eventuale me një numër të madh të personave me efekte të dëmshme ndaj shëndetit nga temperaturat e larta. Gjithashtu, sipas nevojës dhe në baza ditore, Komisioni për ndjekjen e efekteve nga temperatura e larta në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, do të rekomandojë masa dhe aktivitete për minimizim të këtyre rreziqeve, veçanërisht për kategorinë më të prekur të qytetarëve gjatë ditëve që vijnë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, transmeton TV21.