Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe ka marrë pjesë në Tubimin Përkujtimor, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2019”, për nder të 20 vjetorit të Betejës së Koshares.
Presidenti Thaçi ka thënë se Beteja e Koshares ka hapur një kapitull të ri në atë kohë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
“Sot shënojmë 20 vjetorin e kësaj beteje patriotike, atdhetare, të rëndësishme, historike dhe vendimtare për çlirimin e Kosovës. Në radhët e këtyre angazhimeve për liri dhe pavarësi, për çlirim ishin bashkuar të gjithë. Ishin bashkuar të gjithë me një synim, me një qëllim, me një vizion, çlirimin përfundimtar të Kosovës nga sundimi për më tepër së njëshekullor i Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai theksoi se sot kur shënojmë 20 vjetorin e Betejës së Koshares, në të njëjtën kohë kujtojmë edhe masakrat që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë.
“Këto përkujtime kanë dinjitetin, kanë krenarinë e në të njëjtën kohë kanë dhimbjen dhe lotët në sytë e çdo qytetari për ata që dhanë jetën për liri, në veçanti për martirët që u ekzekutuan pamëshirshëm nga ushtria dhe policia serbe. Pra, kujtojmë edhe 13 mijë e 500 civilë të vrarë nga shteti i Serbisë, kujtojmë rreth 400 masakra anekënd Kosovës dhe rreth 20 mijë gra të dhunuara po nga ushtria dhe policia e Serbisë”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Kreu i vendi ka thënë se tash 20 vite pas kësaj beteje, janë 20 vite të përpjekjeve tona për shtetndërtim, 20 vite të krenarisë, të dinjitetit dhe të forcimit të identitetit shtetëror, për ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës euroatlantike, Kosovës që gjithmonë do të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe gjithë partnerët tjerë që na ndihmuan për liri dhe pavarësi.
Presidenti Thaçi ka uruar edhe njëherë të gjithë të pranishmit për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, e cila, sipas tij, do të funksionojë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
“Ushtri kjo e re, moderne, e standardeve të NATO-s që do të funksionojë jo parcialisht në territorin e Kosovës, por në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, për kontributin patriotik dhe atdhetar të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, presidenti Thaçi e ka dekoruar këtë brigadë me “Urdhrin e Lirisë” dhe nga sot të gjithë dëshmorët e kësaj brigade i ka shpallur heronj të Kosovës.