Presidenti vendim për dekrete të reja në Armatë, për herë të parë komandant brigade shqiptar
Tre dekrete të konfirmuara, dy revokime dhe një dekret për avancim në pozitë, në Armatën e Maqedonisë së Veriut, janë vendimet e dekretuara së fundmi nga presidenti Pendarovski, të cilat nuk hyjnë asnjëherë në fuqi gjatë mandatit të paraardhësit të tij, Gjorge Ivanov, pasi ishin kontestuese nga Gjykata Kushtetuese dhe Antikorrupsioni.
Me dekretimet e fundit, presidenti Pendarovski në mesin e ushtarakëve të graduar, për herë të parë e ka vendosur edhe një shqiptar, Besnik Eminin, i emëruar si komandant i Brigadës së parë të makinerisë këmbësore në komandën e përbashkët operative në shtabin e përgjithshëm të Armatës.
Emini është shqiptari i parë që mban gradë të këtillë në armatën e vendit. Gjenerali, Vasko Gjurçinovski, vazhdon të mbetet kolonel i përgjithshëm, duke qenë se nuk ka bazë ligjore mbi të cilën mund të hiqet grada e tij.
Nga emrat e tjerë të shkarkuar, vetëm dy vazhdojnë të qëndrojnë në pozitën që i kishte emëruar ish presidenti Ivanov.
Për dy ushtarakë pritet të vendosë Ministria e Mbrojtjes, ndërsa për një emër ushtarak do të vendosë Armata e Maqedonisë së Veriut.
Dekretet paraprake të sjella nga ana e ish presidentit Ivanov u kontestuan nga organet kompetente, ngaqë të njëjtat u sollën gjatë periudhës zgjedhore, madje edhe në kundërshtim me kushtetutën, sepse të njëjtat u dekretuan me emrin e vjetër kushtetues të vendit Republika e Maqedonisë, edhe përkundër asaj që ishte i plotfuqishëm vendimi i ri për emrin e ri kushtetues të vendit Republika Maqedonia e Veriut.