Sot u mbajt punëtoria (workshopi) e fokusuar në prioritizimin e fushave strategjike të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit. Qëllimi i këtij seminari ishte identifikimi i fushave më të rëndësishme strategjike të SKZH metodologjikisht dhe sipas hapave të përcaktuar. Strategjia Kombëtare e Zhvillimit është një proces kompleks menaxhimi, i cili kërkon punë të përbashkët dhe sinergji të të gjithë sektorëve ekzistues në vend. Ky proces ka një rëndësi të madhe për të ardhmen, pra për zhvillimin e vendit tonë, prandaj kërkon një qasje metodike dhe të kujdesshme gjatë krijimit.
Strategjia Kombëtare e Zhvillimit si një strategji zhvillimi 20-vjeçar duhet të hartojë dhe të përcaktojë drejtimet e zhvillimit dhe të përdorë në mënyrë të përshtatshme burimet që kemi në dispozicion si vend. Krijimi i strategjisë nuk duhet të varet vetëm nga vullneti politik, por duhet të jetë një proces i përbashkët i të gjithë faktorëve. Në atë drejtim, përveç ngjarjes së sotme, janë mbajtur takime me akademinë, kuvendin, ASHAM, sektorin e shoqërisë civile, mbi 40 punëtori vizionare në të gjitha rajonet planifikuese në të cilat kanë marrë pjesë mbi 3000 qytetarë, si dhe është platforma për konsultime publike www.nrs.mk
Në këtë aktivitet u prezantuan: Fatmir Bytyqi – Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Besimi – Ministër i Financave, Metju Lloson – Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, Henrik Markush – Ambasador i Republikës Sllovake dhe Armen Grigorjan – Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së.
Për rëndësinë e ngjarjes, zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, theksoi se “Strategjia Kombëtare e Zhvillimit do të na japë qartësinë dhe vizionin e nevojshëm për qëllimet zhvillimore dhe rrugën e shoqërisë sonë. Për të realizuar këtë strategji do të jetë e nevojshme që të gjithë ne të bëjmë një përpjekje dhe kontribut, së bashku, për vendin tonë. 30 vjet më parë vendosëm që do të kishim një shtet sovran të pavarur, tani 30 vjet më vonë kemi realizuar një nga prioritetet kryesore strategjike dhe atë është të jemi pjesë e aleancës së NATO-s, tashmë jemi në rrugën e përmbushjes së përcaktimit të dytë kryesor strategjik që është i përbashkët, që është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian. Tani është koha, kemi mjaft përvojë dhe mençuri kolektive për të parë së bashku zhvillimin që është i rëndësishëm për ne dhe çfarë duam të jetë në 20 vitet e ardhshme.”
Gjithashtu, Ministri i Financave, Fatmir Besimi, theksoi se “SKZH-ja inkorporon përcaktimet strategjike që tashmë janë të vendosura lart në listën e prioriteteve të vendit dhe për realizimin e tyre pritet mbështetje e gjerë dhe strukturë e fortë organizative. Është një sublimim i gjithçkaje që kemi bërë deri më tani dhe shpreh vullnetin tonë të fortë për të pasur sukses”.
Mendimin e tij për SKZH-në e dha edhe Metju Lloson – Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, i cili u shpreh se “Strategjia Kombëtare e Zhvillimit afatgjate kërkon mbështetjen e të gjithëve. Kërkohen angazhime nga të gjitha partitë politike, të pasqyruara në programet zgjedhore të partive politike. Qytetarët duhet të shohin përkushtimin politik për arritjen e synimeve të përbashkëta në të gjitha vizionet politike. Është bërë shumë punë për të arritur deri në këtë pikë. Të dhënat e mbledhura në fazat e mëparshme të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit tani duhet të vendosen nën tema me fokus nevojat e qytetarëve të këtij vendi”.
Vërejtje lidhur me ngjarjen dhe rëndësinë e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit e dha edhe Henrik Markush – Ambasador i Republikës Sllovake, i cili tha: “Fakti që ka një interesim të madh është një tregues i mjaftueshëm dhe i besueshëm se është zgjedhur modeli i duhur për përgatitjen e një dokumenti, i cili lirisht mund të them se është i një rëndësie vendimtare për progresin ekonomik dhe social të vendit”.
Si sublimim i përpjekjeve për krijimin e strategjisë, komentin e tij e dha Armen Grigorjan – Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, i cili theksoi se “Për mendimin tim, nuk ka konfirmim më të madh se jemi në rrugën e duhur, sesa mbështetja e shprehur e të gjithë ata që jo vetëm shfaqën interes të madh, por edhe ndanë ide dhe iniciativa kreative”.
Në punëtori kishte prani të gjerë të përfaqësuesve nga institucione të ndryshme nga Qeveria e RMV-së, përfaqësues nga sektori civil, ASHAM, ekspertë nga fusha të ndryshme të veprimit, donatorë ndërkombëtarë dhe institucione të tjera relevante që kontribuan në diskutim.
Ky është një shembull i rrallë ku të gjitha palët e përfshira përfshihen përmes një procesi gjithëpërfshirës, me synimin e krijimit të përbashkët, ndërdisiplinor, mbikombëtar dhe mbipolitik të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, nga e cila do të varen shumë procese kyçe në 20 vitet e ardhshme.