Protesta e 8 korrikut paqësore, PD: 30 qershori është nul

Ditën e hënë opozita do zhvillojë protestën e 10 kombëtare. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e kryesisë së PD-së, në të cilën u diskutuan hapat e aksionit opozitar dhe u vendos që protesta të mbahet në orën 20:00 dhe të jetë paqësore. Kujtojmë se në të njëjtën ditë maxhoranca ka thirre seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të procedohet me hapat e tjerë për shkarkimin e Metës, pasi sipas tyre ka shkelë kushtetutën me dekretin për shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Në këtë situatë të tensionuar, ku PS nuk e njeh dekretin e presidentit për zgjedhjet, ndërsa PD nuk pranon dialog me shumicën për të zgjidhur krizën, parashikohen të tjera protesta intensive nga opozita, e cila ka vendosur që t’i shkojë deri në fund rrugëtimit për largimin e Ramës dhe krijimin e qeverisë tranzitore. Në një prononcim për gazetën “Shekulli” ish-deputetja e PD-së Dhurata Çupi konfirmon orën e protestës së dhjetë kombëtare dhe detaje rreth organizimit. “Protesta do të jetë ditën e hënë në orën 20:00. Ftojmë çdo qytetar të jetë në këtë protestë. Do të jetë e qetë si të gjitha protestat e organizuara dhe të thirrura nga opozita shqiptare”, tha Çupi.

Marketing

Mbledhje e PD-së

Në një ditë pas vendimit për të zhvilluar protestën me 8 korrik, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka mbledhur forumet kryesore të partisë duke theksuar edhe njëherë se gjithë shqiptarët duhet të bëhen bashkë kundër diktaturës, në mbrojtje të demokracisë dhe Kushtetutës. Burime pranë selisë blu, tregojnë për “Shekulli”-n se kreudemokrati është shprehur se qëndrimi i opozitës është i paqëndrueshëm dhe se 30 qershori vetëm e motivon për vendosmërinë mbi largimin e Edi Ramës, ndëshkimin e politikanëve që vodhën zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe të gjithë atyre që organizuan dhe zbatuan farsën e 30 qershorit. Opozita i mbetet kërkesës për qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme parlamentare dhe lokale.

Porositë e Bashës për protestën

Basha ka folur dhe për protestën e së hënës, duke thënë se ajo do të jetë paqësore, si dhe rendit porositë në të cilat theksohet qëndrimi i demokratëve për largimin e Ramës dhe qeverinë tranzitore:

Rama edhe kur i bën i vetëm kandidimet, votimet dhe numërimin, edhe kur nuk ka kundërshtar për të vjedhur, vjedh dhe manipulon. Këtë e dëshmojnë qindra denoncime nga media dhe mijëra të tjera nga qytetarët, si dhe gjetjet nga raporti paraprak i ODIHR, më i keqi që nga 97. Rama e bëri për të rritur pjesëmarrjen fiktive. ODIHR vuri vulën për rolin kriminal të KQZ në këtë operacion të paparë manipulimi. Me Edi Rameë nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira.

Konstatimet paraprake të ODIHR nxjerrin mes shumë problemeve 2 çështje kryesore:
a) dekreti i presidentit është në fuqi, farsa e 30 qershorit është nul, sepse është kundër parimit themelor të sundimit të ligjit.
b) regjistrimi i patericës së krijuar nga Edi Rama për të krijuar iluzionin e garës u bë në shkelje të ligjit. Votimi i 30 qershorit është nul.
Refuzimi që shqiptarët i bënë farsës është refuzim ndaj regjimit të Edi Ramës. Ndonëse PD është aksionerja kryesore e këtij refuzimi popullor ka shumë aksionerë. Me ne u bashkua shumica absolute e shqiptarëve. Ky është refuzim i regjimit të Edi Ramës. Detyra jonë është që, nëpërmjet aksionit tonë politik, ta kthejmë këtë nga shumice refuzuese për regjimin e Ramës, në një shumicë shprese dhe besimi për ndryshim.
Ftesa ndaj shqiptarëve për ditën e hënë është: të gjithë bashkë kundër diktaturës, në mbrojtje të familjeve dhe fëmijëve tuaj, në mbrojtje të Demokracisë dhe Kushtetutës.

Qëndrimi ynë është i pandryshueshëm, 30 qershori vetëm na motivon më shumë në vendosmërinë tonë: largimi i Edi Ramës, ndëshkim të politikanëve që vodhën zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe të gjithë atyre që organizuan dhe zbatuan farsën e 30 qershorit, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira e të ndershme, parlamentare dhe lokale.

Edi Rama me kukuvajkat dhe mercenarët e tij dështuan në planin tashmë të zbardhur për ta përçarë PD dhe opozitën. PD dhe opozita dolën më të fortë dhe më të bashkuar nga 30 qershori. Ata nuk meritojnë asnjë vëmendje apo harxhim kohe. Injorojini, përbuzini, e gjithë energjia në aksionin politik kundër padronit dhe financuesit të tyre Edi Ramës!

Reagimi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, përjashtoi çdo debat për lirimin e zyrave nga kryebashkët e LSI-së deri në zgjedhjet e 13 tetorit. Në një prononcim për gazetarët dje pas takimit me Bashën në selinë blu, Kryemadhi tha se 30 qershori është ilegjitim. Sa i takon protestës së ditës së hënë, Kryemadhi tha se do të jetë e qetë si gjithë protestat e tjera dhe paqësore. “Nuk diskutojmë çështjen e zyrave. Kryebashkiakët janë legjitimë deri ditën që bëhen zgjedhjet e 13 tetorit dhe emërohen ose zgjedhin shqiptarët kryetarët e tjerë të bashkisë. Kemi një dekret të presidentit të hyrë në fuqi, kemi dhe një datë tjetër zgjedhjesh që është 13 tetori. Nuk kemi parë deri sot asnjë ankimim të PS deri më sot as në gjykatat socialiste dhe as në Kushtetuese. Ky njeri ngre çdo gjë mbi ilegjitimitetin. Sot tregon edhe më shumë se ilegjitimiteti i tij, kapja e sistemit, çdo institucioni shtetëror nuk mund të jetë jetëgjatë për të. Kanë ikur dhe rrëzuar burra shumë më të fortë se ai”, tha ajo.

2 kolonë

PD-Bibës: Drejtoi skemën mafioze të manipulimit të numrit të votuesve

Deklaratat e KQZ për pjesëmarrjen në votimet e 30 qershorit, sipas PD janë të manipuluara. Për këtë shkak Gazmend Bardhi ka paditur penalisht nënkryetarin e KQZ duke e akuzuar për vënien në zbatim të një skemë mafioze. Partia Demokratike do të depozitoi kallëzim penal për trupën e majtë në Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve. Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi, thotë se Denar Biba me 3 persona në KQZ janë përgjegjës direkt për zbatimin e asaj që quhet skemë piramidale të manipulimit të numrit të votuesve më 30 Qershor. Ky vendim i Partisë Demokratike vjen paralelisht me kallëzimet që kanë bërë kryebashkiakët e djathtë për policinë dhe Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve, me arsyetimin se kanë zaptuar godinat publike nën varësi të bashkive. “Që prej 30 Qershorit, Edi Rama është zbuluar para shqiptarëve si Kryeministri i vetëm në Europë që ka manipuluar edhe votimet e veta antikushtetuese me 1 kandidat. Ai ka rritur pjesëmarrjen me të paktën 8% apo me rreth 280 mijë votues, duke përdorur Komisionin Qendror të Vjedhjeve, specifikisht, nënkryetarin kamikaz të këtij insitucioni, Denar Biba. Partia Demokratike disponon të dhëna të plota sesi ka funksionuar skema e manipulimit të numrit të pjesëmarrësve në votimet e paligjshme dhe antikushtetuese të 30 qershorit. Ajo ka funksionuar si një piramidë manipulimi, që nis me zyrën e Edi Ramës, vazhdon në zyrën e Denar Bibës, shtrihet tek drejtuesit e KZAZ-ve dhe përfundon tek komisionerët e qendrave të votimit në zonat ku nevojitej falsifikimi. Në Komisionin Qendror të Vjedhjeve Denar Biba, në bashkëpunim me 3 punonjës të administratës, kanë drejtuar operacionin e rëndë kriminal të falsifikimit dhe manipulimit të votimeve. Pasi merrte urdhrat nga shtabi politik i Edi Ramës për të deklaruar pjesëmarrje të rremë në favor të interesit politik të Partisë Socialiste, Denar Biba dhe tre bashkëpunëtorët e tij në krim, kërkonin nga kryetarët e KZAZ-ve rezultatin që duhej. Ata e siguron këtë nëpërmjet komisionerëve të qendrave të votimit, ku janë mbushur rreth 280 mijë fletë votimi për të plotësuar kuotat e përcaktuara nga Edi Rama dhe shtabi i tij i manipulimit te votimeve antikushtuese. Votimet me 1 kandidat dhe të paligjshme kanë përfunduar prej 4 ditësh, por Denar Biba me grupin e tij të krimit, si asnjëherë më parë, nuk kanë publikuar asnjë të dhënë për qendrat e votimit për asnjë bashki. Kjo është e paprecedentë. Ky manipulim flagrant i shërben vetëm propagandës së Edi Ramës për të fshehur dështimin dhe braktisjen e tij totale, për të fshehur katandisjen e Partisë Socialiste në një parti rrogëtarësh, kriminelësh dhe klientësh biznesi”,-tha Bardhi.

Sali Berisha: Zgjedhjet e 30 qershorit ishin farsë!

Ish-kryeministri, Sali Berisha, deklaroi se vlerat e demokracisë të groposura me 30 qershor me farsën moniste duhet të vendosen një minutë e më parë. Duke folur për gazetarët pas takimit me Bashën, Berisha tha se bojkotimi i zgjedhjeve ishte një nga aktet më të mençura të PD-së. “Nuk u bënë pjesë e farsës më të shëmtuar të narkoshtetit ku baronët e drogës dhe krimit me pushtet dhe në shpellat e drogës vendosin për fatin e qytetarëve. Është jetike që opozita të qëndrojë e papërlyer. Besnike e vlerave dhe për asnjë sekondë fasadë e një regjimi më të urryer që kanë pasur shqiptarët nga koha e Enver Hoxhës deri më sot. Zgjedhjet janë të dënuara me vdekje, nuk ishin zgjedhje ato po një farsë. Rikujtoni pak Konventën Europiane të Drejtave të Njeriut, vendimet e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut për zgjedhjet, votën. Ato vendime hedhin poshtë me përçmim si antidemokratike zgjedhjet moniste, zgjedhjet pa alternativë, pa kandidat. Cilido që mbështet apo thotë atë që thoni ju do të mbulohet nga turpi i historisë”.