Grupe qytetarësh u hodhën të mërkurën në protesta para parlamentit të Malit të Zi, duke kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për presidentin, që synojnë kufizimin e përgjegjësive kushtetuese të presidenti aktual Milo Gjukanoviç dhe kalimin e tyre te parlamenti.
Ndryshimet u hodhën në votim dhe u miratuan nga 41 deputetët e Frontit Demokratik pro-rus, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura.
Protestuesit mbanin parulla si “Stop dhunës institucionale”; “Agjencia Ruse Jashtë”; “Jo grushtit të shtetit”, ndërsa thanë se partitë politike ndahen në ato që janë për Malin e Zi dhe ato që janë kundër tij dhe se ndryshimet e miratuara rrezikojnë fatin politik, shtetëror dhe kombëtar të Malit të Zi.
Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviç Stankoviç, e cila iu bashkua protestës tha se është e padëgjuar në praktikën juridike që një akt më i ulët të ndryshojë një akt më të lartë.
“Pas gjithë kësaj qëndron (Aleksandar) Vuçiçi dhe politika zyrtare e Beogradit, qëllimi i të cilit është që Mali i Zi të mos hyjë në Bashkimin Evropian por në Ballkanin e Mbyllur”, theksoi ajo.
Një grup qytetarësh nga Cetina që po marrin pjesë në këto protesta, vlerësojnë se ka ndryshim të dhunshëm dhe të kundërligjshëm të kushtetutës dhe nëpërkëmbjes të rendit kushtetues me qëllim të rrëzimit të autoriteteve më të larta shtetërore .
“Ne po mblidhemi për të treguar se jemi këtu, se nuk do t’u dorëzohemi trashëgimtarëve të ideologjisë më të errët që është trashëgimi e përdhunimeve, vrasjeve, torturave dhe krimeve të tjera jo vetëm në të gjithë rajonin por edhe në Mal të Zi”, tha një protestues nga Cetina.
Ndryshimet e miratuara të të martën vonë, parashohin që nëse presidenti i vendit nuk propozon mandatar për formimin e qeverisë atëherë mandatin e merr një kandidat që ka mbështetjen e qartë të shumicës së deputetëve. Kjo do t’i mundësonte kandidatit me shumicë të ngushtë prej 41 deputetësh, Miodrag Lekiç, të formojë qeverinë e re malazeze.
Me 20 shtator presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, refuzoi propozimin që Miodrag Lekiç, kandidat i partive që miratuan ndryshimet e së martës, të jetë mandatari i ri për formimin e qeverisë, ndërsa hodhi propozimin që të shkurtohet mandati i parlamentit aktual, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja.
Partitë opozitare thanë se ndryshimet e përfshira në ligj paraqesin shkelje të Kushtetutës së Malit të Zi.
Ndërkaq, ambasadorja amerikane në Podgoricë Judy Rising Rajnke, u bëri thirrje të mërkurën të gjitha palëve që të punojnë së bashku për të gjetur një rrugëdalje nga kriza aktuale politike
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për përshkallëzimin e retorikës nxitëse dhe konfrontimit të papërgjegjshëm të udhëheqësve malazezë ditët e fundit. Ftojmë të gjitha palët të punojnë së bashku për të gjetur një rrugëdalje nga kriza aktuale politike, e cila do të ishte në përputhje me Kushtetutën”, shkroi në rrjetet sociale ambasadorja amerikane.
Edhe Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për miratimin e Ligjit për Presidentin. Zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero vuri në dukje se të gjitha aktet legjislative duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën.
“Kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese efikase dhe parlamenti ka dështuar në mënyrë të përsëritur të emërojë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve për të siguruar funksionimin e duhur të saj”, tha ajo, duke nënvizuar se edhe në raportin vjetor të BE-së është shprehur shqetësim lidhur me çështjen e sundimit të ligjit dhe mungesën e dialogut politik në vend.
Ambasadori gjerman, Peter Felten, tha në Twitter se vendi i tij ndan “shqetësimin për përpjekjet për të ndërhyrë në kompetencat e presidentit të Malit të Zi”.
Mali i Zi është me qeveri teknike që nga muaji gusht kur parlamenti miratoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq, pak pasi ai nënshkroi një marrëveshje të diskutueshme me Kishën Ortodokse Serbe.
Marrëveshja nxiti përplasje brenda koalicionit qeverisës që në fillim. Një pjesë e partive qeverisëse, theksuan se marrëveshja është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet malazeze./VOA