Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e sotme, me propozim të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, e solli Vendimin për zbatim të përkohshëm të ndryshimeve në Protokollin për origjinën e mallrave nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, me çka sigurohet bazë ligjore për zbatimin e rregullave të rishikuara preferenciale për origjinën e mallrave nga fillimi i nëntorit të vitit 2021.
Me ndryshimet nga rregullat e reja për origjinën e mallrave do të preken të gjithë operatorët ekonomikë dhe kompanitë në vendin tonë, që merren me eksport. Duke pasur parasysh se rreth 85% nga eksporti i përgjithshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut realizohet me shtetet anëtare të BE-së dhe 24 vendet e zonës Pan-Euro-Mesdhetare (EFTA, Turqia, CEFTA, vendet e Partneritetit Lindor dhe vendet e Mesdheut), këto rregullat e reja paraqesin një lloj revolucioni në shkëmbimin e jashtëm tregtar.
Prodhuesit në Maqedoninë e Veriut do të përfitojnë mundësi të mëdha për importimin e lëndëve të para pa doganë nga vendet e treta dhe eksportimin e produkteve të gatshme në BE, gjithashtu pa doganë. Përfitime do të kenë të gjitha industritë, por më së shumti përfitime do të kenë kompanitë që prodhojnë produkte teknologjike moderne, veçanërisht kompanitë nga industria e automobilave dhe kompanitë në ZZIT. Përfitime të mëdha do të kenë edhe kompanitë nga industria ushqimore dhe përpunuese.
Rregullat e reja për origjinën e mallrave iu ofrojnë më shumë mundësi kompanive që të sigurojnë lëndë të parë më të lirë gjatë krijimit të produkteve për këto tregje, duke pasur parasysh se me këtë vendim shfuqizohen detyrimet doganore për lëndët e para për përpunim.
Gjithashtu, me uljen e kushtit për përqindjen e vlerës së shtuar nga 60% në 50% si kontribut vendor në krijimin e produktit, avancohet pozicioni i tyre në tregjet e huaja, bëhen shumë më konkurrues, por në të njëjtën kohë krijohen kushte edhe për investime të reja të huaja, të cilat do të kenë mundësi për eksport në këto tregje me kushte shumë më të përmirësuara nëpërmjet këtyre rregullave të reja.
Këto rregulla duhet ta lehtësojnë integrimin ekonomik të vendit tonë në tregun ekonomik rajonal dhe konsolidimin dhe zhvillimin e zinxhirëve të integruar të furnizimit me vendet e rajonit që zbatojnë rregullat e reja preferenciale të origjinës. Sipas analizave të bëra, sipas kushteve të reja të origjinës, eksporti ynë duhet të rritet në bazë vjetore me 6.3%.
Nuk ka dyshim se integrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por edhe kushtet e ofruara nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për një klimë të favorshme për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve kanë ndikim të drejtpërdrejtë në dinamikën e zhvillimit të ekonomisë sonë, industrisë dhe orientimin të marrëdhënieve tona tregtare drejt BE-së.