BotaPse disa njerëz me koronavirus shfaqin simptoma dhe disa të tjerë jo?
Publikuar në : 17:40 – 22/04/20 |
Koronavirusi ka infektuar pothuajse 2.5 milion njerëz në të gjithë botën, por disa njerëz nuk shfaqin simptoma.
Studimet e fundit sugjerojnë që 80 % ose më shumë nga ata që infektuar janë ‘bartës të heshtur’, duke mos treguar simptoma ose simptomat janë shumë të buta.
Duket se fëmijët, të rinjtë dhe njerëzit e shëndetshëm kanë më shumë gjasa të jenë asimptomatikë. Por për të llogaritur proporcionet e vërteta të njerëzve që nuk kanë simptoma drejt sëmundjes së rëndë, testimi do të duhej të zgjerohej në të gjithë popullsinë, dhe kjo nuk ka qenë ende e mundur në shumë vende.
Ne nuk e dimë saktësisht pse disa njerëz me koronavirus janë asimptomatikë ndërsa të tjerët e zhvillojnë sëmundjen kërcënuese për jetën. Por ja çfarë dimë deri më tani:
Si të gjithë viruset, Sars-CoV-2 duhet të futet brenda qelizave njerëzore për t’u shumuar dhe mbijetuar. Pasi një person është infektuar me virus, mund të duhen deri në 14 ditë, që simptomat të shfaqen- njohur si periudha e inkubacionit.
Një sistem i fortë imunitar gjatë periudhës së inkubacionit, mund të parandalojë mbajtjen e infeksionit, të zvogëlojë sasinë aktuale të virusit në trup dhe të parandalojë atë që të arrijë në mushkëri.
Sistemi ynë imunitar na ofron dy linja mbrojtjeje kundër viruseve. I pari është sistemi i lindur dhe përfshin pengesa fizike siç janë lëkura, mukoza, proteinat etj. Fëmijët kanë sistem imuniteti të papjekur, por një hipotezë që shpjegon pse nuk sëmuren fëmijët me Covid-19, është se reagimi i tyre imunitar i lindur ndaj koronavirusit është më i madh se sa tek të rriturit. Linja e dytë e mbrojtjes është reagimi i adaptuar imunitar.
Mendohet se variacionet gjenetike shumë specifike te disa njerëz mund të luajnë një rol në mënyrën se si sëmuren. Duke gjeneruar një reagim imunitar adaptues të hershëm, trupi duket se e njeh virusin gjatë periudhës së inkubacionit dhe e lufton atë.
Nëse virusi Sars-CoV-2 mbijeton përtej pikës së hyrjes në trup (nëpërmjet hundës, syve, fytit), atëherë mund të bëjë rrugën e tij poshtë në mushkëri.
Njerëzit e moshuar dhe ata me çrregullime kronike të mushkërive, kanë më shumë të ngjarë të zhvillojnë pneumoni akute dhe për këtë arsye të vdesin. Kjo aktualisht mendohet të jetë për shkak të se të moshuarit dhe të sëmurët kanë më pak receptorë në mushkëri. Këto receptorë të quajtur ACE2, luftojnë virusin.
Në të kundërt, fëmijët kanë më shumë receptorë ACE2 në mushkëri, të cilat mund të shpjegojnë arsyen pse nuk sëmuren.
A mundet që njerëzit pa simptoma të infektojnë të tjerët?
Disa studime kanë treguar që njerëzit me Covid-19 kanë tendencë të kenë një ngarkesë të lartë virale pak para dhe menjëherë pas shfaqjes së simptomave. Kjo sugjeron që ata mund ta transmetojnë virusin kur sëmuren për herë të parë ose deri në 48 orë para sëmundjes, teksa janë para-simptomatikë.
Sidoqoftë, nuk ka asnjë provë të besueshme që njerëzit asimptomatikë që nuk shfaqin kurrë simptoma, të jenë në gjëndje të infektojnë njerëzit e tjerë.