Publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses për votimin e Qeverisë Hoti, pritet caktimi i datës së zgjedhjeve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi sot të plotë aktgjykimin lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Marketing

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.

Kushtetuesja kishte konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

“Rrjedhimisht, duke u bazuar në gjuhën e qartë të nenit 71.1 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nënparagrafit 6 të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata konsideron se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sikurse parashihet me këto dispozita, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse kundër tij/saj ka një vendim dënues që është në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet në aktgjykim.

Tashmë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka përfunduar takimet me përfaqësuesit e partive politike dhe së shpejti pritet të bëhet e ditur edhe data e zgjedhjeve.

Aktgjykimin e plotë mund ta lexoni këtu.