Enti Shtetëror i Statistikës publikoi metodologjinë e regjistrimit të popullsisë, vendbanimit dhe banesave, shkruan Alsat. Regjistrimi do të bëhet në dy kategori. Në kategorinë e qytetarëve resident do të përfshihen të gjithë shtetasit që jetojnë në vend më shumë se 12 muaj, që jetojnë jashtë vendit më pak se 12 muaj, që janë me vendbanim të përhershëm në vend por në mision të përkohshëm diplomatik jashtë vendit, refugjatët dhe personat në azil.
Na kategorinë e personave joresident do të përfshihen shtetasit që jetojnë jashtë vendit më shumë se 12 muaj dhe të huaj që jetojnë në vend më pak se 12 muaj me leje qëndrimi. Statistika kujton se shtetasit që jetojnë jashtë vendit më shumë se 12 muaj kanë dy opsione regjistrimi. Megjithatë ky institucion thotë se parapëlqehet regjistrimi i tyre në mënyrë elektronike në faqen e Entit të Statistikës. Regjistrimi elektronik i tyre do të fillojë më 1 mars dhe do të zgjasë deri më 21 prill.
Drejtori Apostoll Simovski tha aplikacioni elektronik është i gatshëm dhe është mjaftueshëm i sigurt në aspektin e sulmeve kibernetike. Por sipas tij, meqë nuk ka garancë se njoftimi për regjistrim do të arrijë deri tek të gjithë këto persona, të dhënat e tyre mund t’i japë edhe ndonjë i afërm që jeton në vend dhe që i njeh mirë. Kjo metodë, sipas tij, është më pak e preferueshme sepse personi që regjistrohet duhet të japë të dhëna personale si përkatësie etnike dhe fetare.
Statistika do të formojë 50 komisione rajonale për zbatimin e regjistrimit. 150 inspektorë të statistikës dhe nëpunës aktual të këtij institucioni do të monitorojnë procesin, 500 instruktorë rajonal do të angazhohen për menaxhim të regjistruesve dhe të paktën 5500 regjistrues do të mbledhin të dhëna nga qytetarët në terren. Nëse ka nevojë, numri i regjistruesve do të rritet. Ata vlerësojnë se kanë kohë të mjaftueshme për angazhimin e këtyre personave dhe trajnimin e tyre.
Në terren do të shkojë kryesisht nga një regjistrues në një shtëpi. Por, në vendbanimet e përziera dhe për të respektuar të drejtën e qytetarëve për t’u regjistruar në njërën nga shtatë gjuhët që ata do të zgjedhin, në disa vende do të ketë edhe nga dy regjistrues.
Sa i takon regjistrimit në terren dhe respektimin e masave anti-kovid, Simovski deklaroi se do të bashkëpunojnë me institucionet shëndetësore dhe varësisht situatës me kovid në prill, do të përpilohen protokolle. Por, sipas tij, regjistruesit nuk është patjetër të hynë brenda shtëpive dhe banesave të personave. “Ku ka kushte, duke marrë parasysh se regjistrimi do të bëhet në prill, nuk ka asnjëfarë pengese që të dhënat të jepen jashtë shtepisë”, shtoi Simovski. Ai tha se qytetarët duhet ta njohin rëndësinë e kësaj statistike.
“Çfarëdo refuzimi të jepen të dhëna është në dëm të qytetarëve. Secili që do të refuzojë i bën dëm vetes dhe të gjitha qytetarëve. Ky është aksion më rëndësi shtetërore. Nuk është aksion në favor të asnjë partie politike dhe të asnjë kategorie”, tha Apostoll Simovski, kryetar i Entit Shtetëror të Statistikës.
Statistika nuk komenton deklaratat politike për shtyrje eventuale të regjistrimit por thonë se punojnë sipas ligjit në fuqi.