Qeveria e re parashikon shfuqizimin e Balancuesit

Në programin e VMRO-DPMNE-së, që do të jetë edhe program i Qeverisë së re parashikohet shfuqizimi i Balancuesit, instrumenti i cili mundëson dhe mban llogari përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të përkatësive etnike në institucionet shtetërore. Nga VMRO-DPMNE-ja për Alsat konfirmojnë se këtë e kanë premtuar para elektoratit dhe do të ndodh pasi zyrtarisht të marrin pushtetin.

Marketing

“Disa herë e kemi përsëritur nevojën për shfuqizimin e Balancuesit dhe e njëjta do të ndodh”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Debati për shfuqizimin e Balancuesit ka ardhur si rezultat i deklarimit të rrejshëm të përkatësisë etnike nga ana e qytetarëve, me qëllim për t’u punësuar. Pos kësaj, VMRO-DPMNE arsyeton shfuqizimin e balancuesit edhe me atë që të mos bëhen punësime vetëm për shkak të përkatësisë etnike, por të ketë përparësi cilësia e kandidatëve, profesionaliteti dhe kompetenca.

Megjithatë, sipas Avokatit të Popullit, Naser Ziberi, Balancuesi ka luajtur rol jashtëzakonisht pozitiv në përmirësimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të të gjitha komuniteteve, sidomos të shqiptarëve. I njëjti, sipas tij duhet të avancohet apo të përmirësohet, por assesi të shfuqizohet tërësisht, pasi në të kundërtën do të shkelej norma kushtetuese për përfaqësim të të gjitha komuniteteve.

“Heqja apo shfuqizimi i këtij instrumenti, pa gjetur një instrument tjetër që do të jetë i njëjtë ose më i mirë do të thotë shkelje e rëndë e përcaktimit dhe vlerës themelore të rendit kushtetues që është rregulluar me nenin 8 të Kushtetutës paragrafi 2, i cili thotë se shteti ka kujdes për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të të gjitha komuniteteve në sektorin publik. Kjo do të ishte shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Në ndërkohë së shpejti, Gjykata Kushtetuese duhet të vendos për nismën e Komisionit për Antikorrupsion, i cili në janar të këtij viti dorëzoi paraqitje, pasi që sipas analizës së tyre punësimi sipas bazës etnike, bartë rreziqe të mundshme për korrupsion dhe tregtim me ndikim.

“Gjykata Kushtetuese vepron për lëndën U.nr.90/2024 e cila është formuar me iniciativë nga ana e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Së shpejti pritet që kjo lëndë të vendoset në seancë”, njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese.