Qeveria e Republikës së Shqipërisë përmes dhënies së eurobondit në tregun ndërkombëtar e futi në borxh shtetin edhe për 500 milionë euro.
Paratë do të shfrytëzohen për financimin e Buxhetit dhe për rifinancimin e borxheve të vjetra. Eurobondi ka afat skadimi prej shtatë viteve me shkallë interesi prej 3,5 për qind.
Në një lidhje telefonike nga Parisi, ministri i Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj tha se me këtë eurobond bëhet i mundur “zëvendësimi i një borxhi të mëparshëm më të shtrenjtë, me një instrument më të lirë dhe më afatgjatë”.
“Tregjet testuan ekonominë shqiptare dhe reformat. Reformat e guximshme dhe të domosdoshme janë duke na shpërblyer. Shqipëria bëhet një vend normal, ku mund të investohet pa frikë dhe në periudhë afatgjatë”, theksoi Ahmetaj.