Qeveria greke do ta shqyrtojë kërkesën e Kamenos për votim të marrëveshjes kur të vijë koha

Kur dhe nëse vjen koha, do të bisedojmë për propozimin e Kamenos lidhur me 180 vota për ratifikimin. Kur të vijë ai moment do t’i shqyrtojmë të gjitha hollësitë teknike dhe do të sjellim vendim, thotë zëdhënësi i Qeverisë greke dhe ministër pa resor, Dimitris Xanakopullos lidhur me kërkesën e partnerit të koalicionit, Panos Kamenos, marrëveshja e Prespës në Parlamentin grek të votohet me shumicë të shtuar.

Marketing

Xanakopullos në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarë sqaroi se Kushtetuta greke vetëm në raste të caktuara parasheh shumicë të rritur parlamentare prej 180 deputetëve në vend të 151, ndërsa marrëveshja e Prespës nuk është në atë kategori. Megjithatë, tha se propozimi i partnerit të koalicionit do të jetë lëndë diskutimi dhe konsultimi në Qeverinë greke, kur të vijë koha.

“Propozimi i Kamenos, që është propozim politik, si edhe secili propozim tjetër që e parashtron partneri i koalicionit do të jetë lëndë e bisedimit, konsultimeve në qeveri kur të vijë koha dhe nëse vjen koha të sillen vendime të domosdoshme politike”, tha zëdhënësi i Qeverisë greke.
Duke folur për televizionin grek Antena, siç kumtoi sot në mëngjes MIA, Panos Kamenos tha se do të nevojiten dy vite, Maqedonia t’i përfundojë obligimet që marrëveshja e Prespës të vijë në Parlamentin grek. Në pyetjen e korrespondentes së MIA-s nga Athina lidhur me këtë periudhë kohore, zëdhënësi i Qeverisë greke nuk dëshiroi të japë vlerësime kohore apo parashikime se kur vendimi do të gjendej para deputetëve grekë.

“Unë nuk mund të vlerësoj për kohën, marrëveshja cakton hapa konkretë që duhet të përmbushen që kjo marrëveshje të vijë për ratifikim në Parlamentin grek. Përkujtoj se cilat janë këta hapa: duhet të ketë referendum në ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë që do të duhet të ketë epilog pozitiv, më pas të ndiqen procedurat për revizion kushtetues dhe ndryshim të emrit kushtetues të fqinjit. Prej këtej, sapo të bëhet e tërë kjo dhe përfundojnë këto hapa, atëherë dhe vetëm atëherë Qeveria greke do ta sjellë marrëveshjen në Parlamentin grek për ratifikim. Nuk mund të bëj parashikime kohore lidhur me atë se sa kohë do t’i nevojitet vendit fqinj për t’i përfunduar hapat që nevojiten”, tha Xanakopullos.

Zëdhënësi i Qeverisë greke në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarët grekë dhe korrespondentët e huaj, edhe një herë përsëriti se zgjedhje në Greqi do të ketë në fund të mandatit katërvjeçar të qeverisë aktuale.

Marketing