Radio Kukësi dhe 21 vjetori i lirisë së Kosovës

Unë jam gazetar i vjetër i Radio Kukësit, i asaj radioje të lavdishme që OKB-ja duhet ta nderojë pasi çdo nderim tjeter i rri ngushtë, gazetar i asaj Radioje që drejtori Izet Duraku ka meritën e madhe se e ktheu në shërbim të Kosovës dhe ajo filloi të quhej Radio Kosova ndërsa unë edhe prej kolegëve të mi u quajta që nga 1996 gazetari i Kosovës.
Radio Kukësi ka meritën e jashtëzakonshme se veç të tjerave u tregoi për të parën herë njerzve për UÇK, për luftën që po përgatitej, që po niste, që nisi dhe u rrëfeu për veprime luftarake, për luftëtarë të rënë, të plagosur. Radio Kukësi u tregoi edhe ushtarakëve të Kukësit për UÇK, ua mësoi UÇK-në sepse ajo Radio ishte bërë zëdhënëse jo zyrtare e UÇK-së. Radio Kukësi ua mësoi UÇK-në edhe ushtarakëve të lartë të Kukësit edhe kapterrave që mbartnin çantat bosh pa plane luftarake të e oficerave dhe këtë punë e konsideronin detyrë të lartë e të lavdishme luftarake dhe janë shpërblyer rëndshëm për këtë shërbim luftarak, edhe oficerave e kapterrave të liruar a të çmobilizuar të ushtrisë të cilët për pak dojçmarka gjermane u bënë profesorë, gjeneralë, instruktorë a mësues për ushtarët e pa mësuar me armë të UÇK-së, me pushkë druri, instruktorë lufte pa pasë asnjë gram përvojë luftarake, pa ditë çfarë është lufta, sepse gjithë përvoja luftarake e ushtarakëve të Shqipërisë kanë qenë zboret dhe lojat luftash me pushkë druri. Lojat e vetme luftash me armë zjarri ishin stërvitjet me derdhe plumba a predha topash në shpate malesh. Për triumf, në fund me marrë me garuzhde dekorata e grada presidenciale për merita luftarake të pabëra, për lavdi të pambërritshme sepse lavdia merret e fitohet në luftë e jo në paqe e as në zbore ku luftohej e shkatërrohej imperializmi amerikan e socialimperializmi rus.

Marketing

Kolegët e mi të jashtëzakonshëm të Radio Kukësit si Sulejman Dida, Blerina Bytyci — Halili, Jonuz Hallaçi, Miriana Perzhita, Besim Cengu si drejtues redaksie, te televizionit te Kukesit Nermin Spahiu, Bujar Mucmata, Benet Beqiri, te mediave tjera Riza Hoxha, Bashkim Shala, Milazim Halili, Islam Dogjani, i dhanë zë Kosovës, luftës, dëbimit, mundit, sakrificës, ikjes, qëndresës. Këto gazetarë ishin vrella e gurra e informacionit botëror të kohës, ishin terreni për gazetarët e huaj. I dhanë zë Kukësit sa kurrë nuk kishte provuan aq zë ndonjë qytet në botë, Kukësit që konkuroi për çmim Nobël për paqe.
Ne qëlluam të ishim në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe bëmë misionin e duhur. Kukesi ka nevojë për famën e lavdinë e gazetarëve të vet të vërtete e jo të atyre që u shpikën si të tillë nga partitë dhe s’u bënë dot të tillë as për partitë.
Tre muajt e eksodit 1999 (24 mars-12 qershor 1999), kur u dynd media e huaj, radioja dhe televizioni i Kukësit u bënë thjeshtë qendra zëri me lajmërue me gjetë të humburit mes të dëbuarve, u bënë si strehë për ndonjë gazetar të huaj a të ndonjë axhensie të huaj, apo qendra bamirësie me kalue ditën ndonjë i dëshpëruar.

Nexhat Çoçaj është ndër bashkëpunëtorët e parë e lajmëtarët e parë të ngjarjeve të mëdha nga Kosova e kufiri shqiptaro-shqiptar.

Jusuf Buxhovi nga Gjermania raportonte në radio Kukësi për zhvillimet politike e diplomatike rreth Kosovës kur të tjerët ngrinin supet, nxirrnin gjuhën dhe qeshnin pas shpine.
Behlul Jashari nga Prishtina raportonte për radio Kukësin.

Hafiz Gagica e Sali Çekaj bënin biseda telefonike nga Gjermania. Iliaz Ramajli, Kadri Balaj, flisnin ne mikrofonin e radio Kukesit. Skender Zogaj sillte gazetën e Kosovës Rilindjen, Mehmet Kraja, dhe shume pena te forta te Kosoves ishin lende e pare per ne.
Besnik Kada, Bekim Hasani, Ylli Daci dhe Esat Brajshori qe i shoqëronte herë pas here, janë gazetarët e parë të Kosovës, të terrenit përgjatë kufirit Shqipëri-Kosovë të programit satelitor për Kosovën në televizionin shqiptar, program në të cilin komandantat e vetshpallur të Kosovës në Tiranë, Durrës Kukës, Tropojë, Has e Perëndim luftonin për pushtet dhe shkepeshin te derdhë breshëri deklaratash trimërishte mbushur plumba e thika helmi dhe atë e dinë për luftën më të madhe çlirimtare.

Petrit Palushi shkroi librin e parë për krizën e Kosovës, që ia financoi UNHCR-ja, pastaj shkrova unë unë librin Misioni për Paqen dhe pata fat dhe per kete liber mora falenderim për kontributin tim mediatik nga presidenti Ibrahim Rugova, pastaj botoi Besim Cengu, pastaj unë librin tjetër Marsi I Minave, pastaj Sulejman Dida librin Dëbimi i shqiptareve prej Kosove ne ‘99.

Ne gazetarët e atëhershëm ia kemi borxh asaj kohe dhe historisë një mijë libra, dëshmitë tona, ditarët tona që të mos lejojmë mashtruesit, periferikët, kapterrat të gënjejnë e të shpikin histori lufte, qendrese te munguar e dallavere trimerishte.

Vetëm në libra e biblioteka ruhet mbrohet historia.

Me 3 qershor 1998 kam shkuar pa leje e pa deshirë drejtuesish në Tropojë për të parë të dëbuarit dhe jam ndër të parët kuksianë dhe gazetarë shqiptarë që i pashë e preka me dorë. Ruaj sot ne kaseta audio qindra zëra të dëbuarish e pritësish.

Ende sot e kësaj dite më dhemb gjuha e nxjerrë pas shpinës time e ndokujt që thoshte për të mos e dëgjuar unë “…a… ky ka me e çlirue Kosovën…”.

Nga ajo ditë fillova në mënyrën time të jem zëri i të dëbuarve, fillova t’i jap zë Tropojës, Kukësit, Shqipërisë dhe ky është fat, jam gazetari i parë shqiptar që raportoja nga fillimi i vitit 1998 çdo ditë për radio Tiranën, e cila ishte media pararojë për këto histori edhe falë drejtuesve të saj Iliaz Spahiu e Zamira Koleci, për radio Kukësin, për radio Shkodrën, Dojce velen e shpesh edhe për televizionin shtetëror që i merrte raportimet e mia nga Radio Tirana, pa llogaritë shtypin dhe axhensitë e ndryshme.

Nuk do ta harroj kurrë anglezin Bill Foksten, shef i OSBE në Tropojë që doli e na mori me makinën e tij në Qaf Prush të Hasit mua dhe djalin e xhaxhait tim Xhemil Shahun i cili atë ditë u kyc në UNHCR ku është edhe sot aktualisht në Irak, të cilit duhet t’i artikulojnë mirënjohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për Kukësin e Shqipërinë.
Nëse meritojnë dekoratat më të larta shtetërore pesë pushtetarët lokalë të kohës Safet Sula, Shefqet Bruka, Qemal Elezi, Sadri Isufi, Xhevdet Hoxha, bashkë me to duhet të jetë Xhemil Shahu, që ishte në veten e tij për ne shqiptarët, përkthyes, interlekutor, negociator, shqiptar, i huaj, qytetar, pushtetar.

Bill Foksten me krahun e këputur në luftë desh u bë copash në sytë tonë me disa ushtarë serbë në Qaf Prush, te dogana. U trimërova edhe unë kur e pashë se sa trim ishte anglezi.
Ai më dha një intervistë të jashtëzakonshme, shfaqi dashuri të jashtëzakonshme për shqiptarët dhe urrejtje të thellë për dhunën serbe ndaj shqiptarëve.

Më ka mbetë merak se nuk ia sigurova dot librin Një Histori e shkurtë e Kosovës të Noel Malkomit.
Me 4 qershor 1998 pashë me sytë e mi mijëra shqiptarë të dëbuar duke kaluar kufirin në Padesh mes lotësh dhimbjesh, thirrjesh, mallkimesh. Pashë qindra tropojanë burra e gra që i prisnin si krushq, sikur të dëbuarit të ishin krushq të lirisë. Në fakt ata u bënë krishqit e lirisë e të bashkimit kombëtar.

Pashë Andrea Harperin dhe Xhemil Shahun e UNHCR se si mbushën makinën e tyre plot me shishe plastike uji në Bajram Curr dhe i linin ato shishe me duart e tyre përgjatë vijës së kufirit në Padesh andej nga dilnin të ardhurit prej Kosovë. Që të gjenin ujë sapo të dilnin në kufi. U emocionova si rrallë herë në jetë.

Pashë njerëz të coptuar në spitalin e Bajram Currit, pashë të vdekur, pashë civilë, pashë ushtarë të UCK, pashë disa lindje të reja të nënave që vinin prej Kosove. Disa kishin lindë udhës. Pashë të vdekur, mora pjesë në varrime.

Në Tropojë pashë mrekullinë shqiptare, burra dhe gra gazmorë që ua hiqnin si me dorë dëshprimin për një çast të dëbuarve, i merrnin në shtëpitë e tyre pa menduar asgjë. Jemi një gjak më thonin të gjithë, s’kena ku me i cue, janë robt tonë. 50 vjet kufini e kishte nda botën shqiptare por shqiptarët nuk ishin harrue. S’e harroj kurrë dhe e kam gjithmonë jehonë në krye fjalën e një gruaje tropoje kur më tha për të dëbumit, na ka nda kufini 50 vjet, por na nuk jena harrue… hala nuk jena harrue…

Në Tropojë takova fizikisht Sali Çekën, heroin e Kosovës. E intervistuam një ditë bashkë me mikun tim Izet Durakun, një intervistë të gjatë ku ai deklaroi se gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë ushtarë të Republikës së Kosovës.

Pas dy ditësh atje e takova sërish dhe e intervistova sërish se ai kishte merak të artikulonte mirënjohje vendasve për mikpritjen që u bënin të ardhurve. Jam krenar se një hero e pata mik, ia ruaj zërin dhe shumë kujtime e biseda me të.

Në Tropojë, në dimër të 1998, atë natë kur u ndërrua komandanti i brigadës së Tropojës, e takova përsëri Sali Çekën. Gjenerali Kudusi Lame që më kishte marrë me vete në Tropojë, nuk e përshëndeti Sali Cekën i cili atë natë më tha “nuk ashtë te na e lanë vendin kërkund SHIK i Shqipnisë”. U dridha. U ftoha si me më pas fut në frigorifer.

Disa muaj rrjesht, mund t’i kujtohet ndokujt, sidomos atyre qe me spiunonin dhe ishin kunder, une beja thirrje ne mikrofonin e Radio Kukesit e u thoja njerzve : jepuni arme banoreve te Kosoves qe vinin per arme, nese nuk mund t’ua falni, shituani, se nje arme me shume, nje serb me pak, nje dite me shpejt vjen liria e Kosoves.

Si u bana Dan Everts?

Vjen në Kukës Kurt Shork, ai gazetari i famshem i Rojterit qe u vra në Sierra Leone, para vitit të ri 1998 dhe si rrallë herë, Benet Koleka, i cili duhet falenderuar gjithmonë për qëndrimet e tij ndaj Kosovës në ato vite krize e lufte, ishte përkthyes, pra një shenjë se Kurti nuk ishte gazetar radhe, gazetar turni në Kukës.

Pasi me tha se je me fat që je gazetar, në këtë kohë, në këtë vend, Kurt Shork bëri tre pyetje, thjeshte fare, më thjeshtë se çdo gazetar që kam njjohur ndonjëherë: A ka UÇK në Kukës, Has, Tropojë, baza të saj, njerëz të saj, a po riorganizohet UÇK, a mund të nderhyje në konflikt ushtria e Shqipërisë e të bashkohet me UÇK-në. Pas hezitimit tim dhe këmbënguljes së Benetit, Kurti me thotë se përgjigjet e tua do të vihen ne gojen e ambasadorit të OSCE në Shqipëri Dan Everts që ishte në Tiranë dhe kështu që unë do të isha i mbrojtur në ëdo rrethanë.

E shoqërova në Has ku ai pa shumë armë, njerëz të armatosur, dhe nuk qe nevoja ta çoja në Vlahën ku unë kisha leje e kredenciale të hyja. Në darkë i organizova një shfaqje. Bëra bashkë në një darkë iftari, se ishte ramazan, Gjeneralin Kudusi Lame me dy ushtarakë të tij dhe Ahmet Alishani, ushtaraku më i lartë i Kosovës në Kukës me dy oficera të tij, që i pata çue fjalë me ardhë përmes Musli Lleshit të Bar Amerikës. Te dhoma e vogël në hyrje të Bar Amerikes, në të majtë, te dera, këta të gjashtë kishin shtrue një hartë të madhe në tavolinë dhe gjenerali me shkop po bënte namin te luftue, po tregonte sulme e mësymje nëpër hartë. Alishani me shokë po e ndiqnin. Unë hapa derën dhe e pashë këtë skene fantastike. Pas meje, te supi im ishte koka e Kurt Shokut. Edhe ai e pa gjithë skenën. Ishte e jashtëzakonshme. Ktheu me shpejtesi. Unë e ndoqa pas. Eja të bisedosh me gjeneralin, i thoja. Ai ikte. Se çfarë i foli Benetit nuk e di, por ai kishte marrë përgjigje për gjithë pyetjet e tij dhe mua më shtërngonte dorën e ma tundte disa here, duke më falenderuar.
U ktheva te gjenerali. Ishte i zemeruar me mua pse “ai bith gazetari” nuk begenisi me takue gjeneralin. Ia kisha zmadhue unë gjeneralit Kurtin sa zotin. Tani i pashë edhe pjatat e vogla te hallves. Hëngra një copë hallvë dhe u ndava me gjeneralin duke i premtue se nesër do të takoj me Kurtin. Gjenerali atë natë nuk kishte me vete nga ato kapterrat a pellot e rinj për me ia mbajtë çantën.

Atë ditë që vjen në Kukës kryeministri Majko me ambasadoren amerikane Mariza Lino, kam qene në pritje në rrjesht me gjeneralin në Meteor, kur zbritën nga helikopteri. Majko vu në kokë një kapele me strehën mbrapa. Edhe unë i thirra në atë zhurmë që bënte helikopteri, vendose mirë kapelen zoti kryeministër. Ai me ambasadoren kaluan në revistë oficerat e ushtarët që ishin aty, i tha njërit, pse je pa rrue.

Gjithë divizioni i lavdishëm dhe heroik i Kukësit, bashkë me gjeneralin, që luftonte si unë me fjalë, kishte një efektiv aktiv 90 veta. Laj e thaj 90 ushtarë, oficera e kapterra, bashkë me mua që e shumëfishoja famën e lavdinë e ushtrisë tonë të palavdishme.

Duke folë në takim në klasë në Meteor para ambasadores Lino dhe kryeministrit Majko, gjenerali e shpartalloi Serbinë. Majko i tha, mjaft gjeneral. A me makina pa goma e tanke pa zingjirë do të bësh luftë ti? Gjeneralit ia ndali turrin e ne gazetarëve na nxori jashtë të mos merrnim vesh sekretet e ushtrisë. Në oborr të Meteorit ishte një makinë tip Zil, me gomat e shpuara e të djegura që dukej si dyqind vjeçe.

Me 1 shkurt 1999 bashkë me gjeneralin dhe ekipin e Rojterit hoqëm çile qeni për me ndezë tankun e vetëm që kishte divizioni para godinës së zyrave të divizionit. Benet Koleka dhe ekipi i Rojterit që fotografonin e filmonin donin me çdo kusht që të përcillnin një lajm që ushtria e Shqipërisë po shkund grykat e mëdha të zjarrit. Pas shumë përpjekjesh u ndez tanku, u filmua duke u rrotullue, foli gjenerali në zyrë me ia shti dridhmat Serbisë, shkuam në Bicaj dhe për disa orë drejtuam grykat e topave nga Morini që të filmoheshin e fotografoheshin. E kujtoj me detaje këtë ditë të 31 janarit 1999 sepse sapo mbaruam kronikën, u nisa bashkë më ekipin e rojterit, me makinën e tyre për Tiranë dhe me 2 shkurt 1999 u shtrova në spital në Tiranë deri me 11 prill 1999 kur jam kthyer në Kukës.
Një ditë do shokë të mitë që thonin se kishin ardhë për luftë e luftonin me mua nëpër Kukës, delnin ndonjë herë deri në Has, në Vlahen a Pogaj, më thonë se është marrë vendimi me vra Rugovën për tradhëti. Natyrisht që nuk i mora seriozisht, natyrisht që u kam thënë se ia hani mutin Rugovës, e shyqyr zotit që e kam një deshmitar të kësaj gallate trimërishte, mikun tim Sulejman Dida, që e ka shkruar këtë storje ne librin e tij të mrekullueshëm Dëbimi i shqiptarëve në vitin 1999.

Naser Kuka i Kaçanikut, katër herë i dënuar nga Serbia, i hedhur te koshi i plehrave për i vdekur, përfaqësues i qeverisë së Kosovës kërkoi të hapte Zyrë Kosove edhe në Kukës, që të dëbuarit të kishin një zyrë ku të drejtoheshin, ku të trokisnin. Kryetari i bashkisë Safet Sula na dha zyrë të kompletuar të cilën e drejtoi me përkushtim të jashtëzakonshëm Hamdi Zymberi i Gjilanit që edhe ai e kishte çue rininë burgjeve serbe.

E kam një privilegj dhe mburrem, pse jo. Unë me zërin tim kam lexue për herë të parë dhe të vetme në radio Tirana dhe në radio Kukësi tekstin e betimit të UCK.

Me Jonuz Hallaqin e Sulejman Didën kemi marrë pjesë në “luftë” në Stërvitjen Drini ’98 në Helshan. Normal që unë jam frymëzuar kur kam parë se sa predha u derdh dhe desh e shuan malin përballë dhe kam thënë me vete dhe e kam dhenë raport në Radio Tirana se Serbinë e çajmë në dysh.

Kujtoj thaset me mina serbe qe mblodhen fshataret. Kujtoj Shkelzen Kurpalin me 250 mina ne thase. Shkova ne shtepine e tij me ekipin e Rojterit. I kishte mbledhe minat si veze pulash nep[er oborr te shtepise, te Kulles se Kurpaleve ne Vlahen, mina serbe qe ishin vu me duart e ushtareve serbe me lejen e ushtrise se lavdishme te Shqiperise. Shkuam me pa minat edhe ne Borje.

Dhashe lajmin se Nato-ja do te bleje minat serbe qe mbledhin fshataret shqiptare. E dhashe lajmin si psh sot pasdite ne Rojter, neser ne oren 10 doli shefi i Nato-s Robertson dhe deklaroi se NATO-ja nuk blen mina, keshtu u ndal loja e metejshme e fshtarareve me vdekjen.
Ushtria jonë e palavdishme nuk mbrojti teritorin, 1400 hektarë teritor ia pushtuan serbët, duke mbjellë mina serbe me duart e tyre ushtarët serbe, ne sytë e ushtrisë tonë të palavdishme, të policisë së palavdishme të Shqipërise, postat e kufirit të së cilës i përdorën si nevojtore ushtarët serbë.

Mbi 250 invalidë, sakatë, me duar të këputura, pa sy, me këmbë të këputura na la lufta, mbi 50 e sa të vdekur nga minat serbe në kufi e në brendësi. Kjo është lavdia e ushtrisë tonë, këto janë fitoret e lavdishme të saj, këto janë dekoratat reale të saj. Duart e keputura te Korab Mules me fluturojne para syve, me rrehin perdite edhe mua, syte e humbura nga minat te shume njerzve na tregojne udhen nga me ece ne trimave dhe komandantave tone.
Shteti ynë nuk bëri padi kundër Serbisë për jetët njerzorë, për inavlidët, për djegjet, shtëpitë e shkatërruara, bagëtitë e vrara e të mbetura në mina, prodhimet bujqësore e blektorale.
Për këtë lavdi të ushtrisë tonë ajo u shkep në dekorata presidenciale një ditë të vjeshtës së vonë në sheshin e bashkisë Kukësit për luftën e pabërë e trimërinë e patreguar.
Kukësi si qytet ka shkëlqyer, familja kuksiane në tërësi ka shkelqyer, ka treguar dimensione të harruara mirësie për botën. Autoritetet kanë shkelqyer, mjekët kanë shkëlqyer dhe përshëndes Ylber Vatan me shokë, i cili që nga 1997 ishte bërë stacion i parë a mjek shtëpie i shqiptarëve të Kosovës që kishin nevojë për mjek, edhe mjekët e huaj që i kemi nderuar më shumë se tonët.

Këto ditë përkujtimore për mua nuk janë dite feste, por ditë kujtese, ditë heshtje, jo ditë tupanash. Ditë me kujtue, me rigjetë e mos me harrue atë që na ndodhi, me kujtue njerzit tek të cilët gjetëm mbështetje.

A vijmë e shkojmë sa duhet te njëri — tjetri, kush e prish lidhjen tonë si gjithmonë duke na nda e duke thënë se kosovarët janë kështu, shqiptarët ashtu.

Nuk ishte e lavdishme as heroike ikja jonë. Ikëm shumë, duke lanë vorret vetem. Nuk ka krenari ikja, nuk mund te ndjehet krenar askush. Nuk na e din akush hallin pse qajmë dhe ankohemi se jemi bërë profesionistë në këtë drejtim si popull. Popujt e tjerë kanë pësuar tragjedi mijëra herë më të rënda se ne dhe nuk qajnë si ne. Nuk kemi vdekë sa boshjakët, as nuk jemi përdhunuar sa austriakët prej rusëve në Luftën e Dytë Botërore. Ndaj nuk jetojmë me vaje. Kush e nxit popullin të jetojmë me vajtime i bën dëm.

Nuk ishte aq e lavdishme lufta jonë. Të paktën nuk meritojmë asnjë dekoratë përveç të rënëve në luftë dhe martirëve. Ushtria e Shqipërisë nuk mori pjesë në luftë, nuk shkrehu asnjë fishek. Nuk iu bashkangjitëm luftes së Kosovës ne të Shqipërisë, na u duk si luftë diku larg nesh, si luftë e huaj. Nuk e bëmë të madhe UÇK edhe pse unë në lajme e bëja e zmadhoja rrenën më shumë se Jakup Krasniqi.