Rai: Qytetarët janë të lodhur nga politika

Dalja e ulët në referendum është reflektim i lodhjes gjithnjë e më të madhe prej politikës në Maqedoni. Shumë qytetarë janë thjeshtë të lodhur prej të gjitha kontesteve në politikë, deklaroi përfaqësuesi i fondacionit “Konrad Adenauer” në Maqedoni, Johanes Rai sot në Forumin e Maqedonisë dhe të Gjermanisë në Shkup “Ndërtojmë ura – politika dhe ekonomi”.

Marketing

“Për 3,5 vjet jam në Maqedoni dhe kam pasur mundësi të njoftoj shumë persona. Përshtypja ime është se gjithnjë e më shumë qytetarë nuk kanë dëshirë t’i dëgjojnë lojërat e politikanëve dhe të kërkojnë atë që kërkohet prej tyre “ose je me ne ose je kundër nesh”, thotë Rai.

Thekson se shumë prej qytetarëve të Maqedonisë vendosën ta braktisin shtetin.

“Treqind mijë qytetarë të Maqedonisë jetojnë jashtë vendit, megjithatë ka edhe numra të tjerë se ata janë ndoshta 400 mijë apo gjysmë milionë. Askush më saktë nuk e di numrin e qytetarëve të zhvendosur nga Maqedonia”, theksoi Rai.

Ka ardhur koha, thotë ai, të ndalojë ky largim i inteligjencës, ndërsa për këtë është nevojshme të ekzistojë sistem politik dhe institucione të cilat funksionojnë.

“Mendimi im është se tani pas referendumit nuk janë të nevojshme zgjedhje të reja. Ajo që është e nevojshme është regjistrimi dhe Listë zgjedhore e korrigjuar. Më falni që do ta them edhe këtë, por është habi që edhe kryetari i Kuvendit nuk mund të gjendet në Listën zgjedhore dhe nuk mund të votojë në referendum”, thotë Rai.

Ambasadori gjerman në Maqedoni, Tomas Gerberih, nga ana tjetër, bëri thirrje opozita të mos e bllokojë procesin dhe të gjendet zgjidhje në Kuvend. Tha se personalisht shpreson se opozita do të kyçet në proces dhe nuk do ta largojë vendin nga Bashkimi Evropian dhe NATO.

Ambasadori Gerberih shpreh keqardhje që dalja në referendum ka qenë vetëm 36 për qind por, siç theksoi, prononcimi për referendumin ka qenë konsultativ dhe jo i obligueshëm dhe prandaj procesi duhet të vazhdojë në institucione.

Marketing