Raporti i Avokatit të Popullit: Qytetarët më së shumti ankesa për gjyqësorin

Ankesat më të mëdha tek Avokati i Popullit vazhdojnë të jenë për funksionimin e gjyqësorit në vend. Në raportin e Avokatit të popullit për vitin 2019, të prezantuar në Kuvend, theksohet se ankesat e më të shumta janë nga konsumatorët, për shkeljen e të drejtave në marrëdhënien e punës por edhe për shkeljen e të drejtave të njeriut në institucionet ndëshkuese-përmirësuese. Përfaqësuesja e Avokatit të popullit Vaska Bajramovska, deklaroi se në vitin 2019 i madh ka qenë numri edhe i ankesave për shkeljen e të drejtave të njeriut respektivisht të drejtave të fëmijëve, ato juridiko pronësore, urbanizëm dhe ndërtim, por edhe në mbrojtjen e të drejtave gjatë veprimit të policisë, mbrojtjen sociale, për sigurim pensional dhe invalidor. Bajramovska deklaron se kanë konstatuar situatë të zvarritjes së pa arsyetueshme të procedurave për shkeljet në rastet e lartë përmendura, në Gjykatën Administrative.

Marketing

Është shqetësuese situata me realizimin e të drejtave të qytetarëve për këtë çështje edhe para Gjykatës Administrative, ku lëndët e këtilla në pajtueshmëri me dispozitat përkatëse juridike materiale, kanë trajtimin si urgjente, ndërsa në Gjykatën Administrative janë evidentuar lëndë të pazgjedhura nga viti 2017, 2018, 2019 të cilat presin në rend për tu marrë e për tu punuar – tha Vaska Bajramovska, Avokat i popullit.

Por nga Gjykata Administrative i hedhin poshtë konstatimet e Avokatit të popullit. Kryetari Burim Sejdini thotë se janë të pavërteta informatat që në sirtarë të Gjykatës qëndrojnë lëndë që nga vitit 2017.

Të pavërteta janë. Kemi 4 128 lëndë të pazgjidhura, dhe kemi 1524 ankesa të cilat janë të pa dorëzuara në Gjykatën e Lartë Administrative. Ky është realiteti bazuar në të dhënat zyrtare të gjykatës. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për konteste administrative më 25 maj 2020 është shkurtuar koha e vendimmarrës në Gjykatën Administrative dhe në bazë të ligjit për konteste administrative çdo lëndë duhet të zgjidhet në afat prej 12 muajve – u shpreh Burim Sejdini, kryetar i Gjykatës Administrative.

Sejdini shton se deri më tani 60% të vendimeve që ka marrë Gjykata Administrative kanë qenë në favor të qytetarëve. Thekson se volumi i padive dhe ankesave në këtë gjykatë është i lartë. Gjatë pandemisë kanë pranuar rreth 500 lëndë, respektivisht rreth 6 mijë për një vit.