Raporti i KE-së për progresin e Maqedonisë së Veriut

Komisioni Evropian sot e miratoi Paketën për zgjerim 2021 së bashku me raportet për progresin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe për Maqedoninë e Veriut. Në Raportin i cili u prezentua sot pasdite në Parlamentin Evropian në Strasburg, Komisioni Evropian e kritikoi bllokimin për fillimin e negociatave dhe është i kënaqur që Maqedonia e Veriut vazhdon t’i përmbushë kriteret për anëtarësim në BE dhe që autoritetet tregojnë orientim të qartë proevropian.

Marketing

“Maqedonia e Veriut vazhdon t’i përmbushë kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe autoritetet publikisht e kanë demonstruar angazhimin e tyre të fuqishëm për të vazhduar nëpër rrugën e BE-së. Vendi e ruajti rrjedhën e vazhdueshme dhe të vendosur në zhvillimin e reformave të BE-së dhe i rriti angazhimet për realizimin e rezultateve edhe më tej”, qëndron në raportin për progresin reformues për Maqedoninë e Veriut.

Në raport thuhet se reformat e BE-së janë proces në afat të gjatë, që kërkon angazhim të vazhdueshëm nga Qeveria dhe opozita si edhe nga të gjithë faktorët shoqërorë.

Maqedonia e Veriut është përshëndetur në pjesën e harmonizimit të politikës së saj të jashtme me atë të BE-së me shkallë prej 96 për qind, që paraqet rritje prej dy për qind pikë në krahasim me vitin 2020.

“Në mars 2020 anëtarët e Këshillit Evropian në mënyrë unanime e miratuan vendimin për t’u hapur negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Anulimi i fillimit zyrtar të negociatave për anëtarësim ka pasoja negative mbi kredibilitetin e BE-së”, paralajmëron Komisioni Evropian.

Komisioni gjithashtu thekson se çështjet bilaterale midis Sofjes dhe Shkupit duhet të zgjidhen në mënyrë prioritare.

Pason pjesa e përmbledhur e Raportit të KE-së për progresin reformues të Maqedonisë së Veriut:

Kriteret politike

Lidhur me kriteret politike, Maqedonia e Veriut i vazhdon angazhimet për përforcimin e demokracisë dhe qeverisjes të së drejtës përfshirë edhe me aktivizimin e mekanizmave ekzistuese të kontrollit dhe përmes përfshirjes së çështjeve kryesore politike dhe ligjdhënëse.

Shteti dëshmoi gatishmëri për të realizuar fusha kryesore të të drejtave fundamentale, përfshirë edhe përmes Agjendës “Evropa në shtëpi” dhe “Planin aksional 21” për luftë kundër korrupsionit. Raundi i parë i zgjedhjeve lokale u mbajt më 17 tetor. Misioni i OSBE/ODIHR shpërndau vëzhgues në mbarë vendin. Progres i kufizuar është arritur në përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe në Komisionin e Venecies për periudhën për të cilën është përfshirë Raporti. Shqyrtim gjithëpërfshirës i ligjit zgjedhor dhe miratimi i ligjeve relevante akoma duhet të finalizohen në një kornizë kohore të caktuar dhe në mënyrë inkluzive.

Partitë opozitare ngelën të përfshira në mënyrë aktive në Parlament dhe në disa raste të caktuara i mbështetën ligjet lidhur me BE-në. Puna e Kuvendit megjithatë u pengua nga polarizimi politik, i plotësuar me pandeminë e Kovid-19, që përkohësisht ndikonte tek funksionet e veta të zakonshme. Janë të nevojshme angazhime për përforcimin e rolit të Parlamentit si forum për dialog politik konstruktiv, veçanërisht në agjendën reformuese të BE-së. Parlamenti vazhdoi t’i kryejë funksionet e veta ligjdhënëse. Duhet t’i kushtohet kujdes i madh shfrytëzimit të procedurave për procedurë të shpejtë, të cilat duhet të kufizohen që të sigurohet kontroll efektiv dhe konsultim i legjislaturës.

Parlamenti ka vazhduar të bëjë mbikëqyrje përkatëse mbi pushtetin ekzekutiv. Propozimet për reformë të brendshme në Parlament, të dakorduara gjatë raundit të tretë të “Dialogut Zhan Mone” në fillim të vitit 2020, duhet të vihen së shpejti. Përgjegjësia penale për ata që kanë organizuar ose kryer dhunë në sulmin mbi Kuvend më 27 prill 2017 vazhdoi të përcaktohet, përfshirë edhe përmes aktgjykimeve të shkallës së parë. Qeveria duhet ta ruaj impulsin reformues dhe të fokusohet në impelemtimin e kornizës ligjore. Marrëdhëniet ndëretnike ishin stabile dhe Marrëveshja e Ohrit vazhdoi të zbatohet.

Organizatat e shoqërisë civile edhe më tej janë aktive dhe kanë rol të rëndësishëm në procesin reformues. nevojiten angazhime shtesë që të sigurohet proces në kohë, i rëndësishëm dhe transparent i konsultimeve me shoqërinë qytetare. Në kontekst janë sfidat me të cilat përballen gjatë rikuperimit nga kriza e Kovid-19, nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë pritet të ndërtojnë partneritete afatgjata dhe ta përforcojnë bashkëpunimin ekzistues.

Reforma në sektorin e zbulimit, që rezultoi me vendosjen e strukturave të reja dhe zhvillimin e kornizës ligjore thuajse ka përfunduar. Rekomandohet shteti ta përforcojë kapacitetin për mbikëqyrjen parlamentare mbi shërbimet e zbulimit.

Administrata publike dhe reformat

Maqedonia e Veriut është mesatarisht e gatshme në reformën e administratës së saj publike. Disa përparime janë arritur në finalizimin e revizionit funksional horizontal të administratës shtetërore, e rëndësishme është revizioni të miratohet nga Qeveria.

Maqedonia e Veriut për momentin e shqyrton kornizën ligjdhënëse për menaxhim me resurset njerëzore përmes revizionit të Ligjit për nëpunës administrativ dhe Ligjit për administratë publike dhe vendos Ligj të ri për shërbim udhëheqës të lartë. Korniza e re ligjore duhet ta përmirësojë menaxhimin me resurset njerëzore në administratë dhe do të kontribuojë të sigurohet respektim i punësimeve, përparime dhe largime në bazë të sistemit të meritave, duke e përfshirë edhe menaxhmentin e lartë.

“Ishte prezantuar monitorimi i raporteve për implementim të Strategjisë për reforma të administratës publike dhe Programi reformues për menaxhim me financat publike. Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK) vazhdoi të merret me rastet e gjoja nepotizmit, kronizmit dhe ndikimit politik në procesin e rekrutimit të punonjësve në sektorin publik dhe në procesin e emërimit të anëtarëve të bordeve mbikëqyrëse dhe menaxhuese. Rezultatet dhe rekomandimet e tij në mënyrë sistematike duhet të ndiqen nga institucionet e interesuara”, citohet në raport.

Shumica e rekomandimeve nga vitet e kaluara pjesërisht janë implementuar. Në periudhën e ardhshme, vendi duhet ta bëjë punën në vijim:

– Ta miratojë dhe zbatojë Ligjin e rishikuar për nëpunës administrativ, Ligjin për administratë publike dhe Ligjin për shërbim të lartë udhëheqës;

– Ta miratojë dhe implementojë Ligjin për organizim dhe punë të organeve të drejtorisë shtetërore dhe të ligjeve tjera të lidhura sipas rekomandimeve për organizim të ri të organeve shtetërore;

– Të sigurohet implementim i tërësishëm i Ligjit për procedurë menaxhuese të përgjithshme.

– Mbikëqyrja publike e punës së Qeverisë sigurohet përmes shpalljes së raporteve qeveritare për monitorim dhe komunikim të përmirësuar.

Në raport më tutje citohet se zhvillimi profesional i administratës publike mbetet josistematik. Shumica e institucioneve ofrojnë trajnime të specializuara për të punësuarit e tyre, por nuk ka bazë të të dhënave për të gjitha trajnimet që i ofrojnë institucione të ndryshme.

Qeverisja e së drejtës dhe të drejtat themelore

Vendi mesatarisht është i gatshëm ta aplikojë ligjdhënien e BE-së dhe standardet evropiane në këtë fushë. Në tërësi, është bërë njëfarë përparimi, duke përfshirë përforcimin e pavarësisë së gjyqësisë dhe me zgjidhjen e rasteve të mosndëshkimit të policisë. Aplikimi i strategjisë në gjyqësi vazhdon, duke e përfshirë edhe Ligjin për prokurorë publik, me të cilin vërtetohet përgjegjësia për veprimet kriminalistike të cilat dalin nga dhe në lidhje me bisedat e përgjuara joligjore.

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, duke i shfrytëzuar autorizimet e saj të përforcuara, vazhdon të japë rezultate, duke i përfshirë edhe rastet e profilit të lartë. Korrupsioni është përhapur në shumë fusha dhe mbetet çështje e brengës. Maqedonia e Veriut vazhdon t’i plotësojë obligimet e përgjithshme për të drejtat fundamentale, por ka sfida në implementimin e legjislacionit ekzistues.

Zyra e Avokatit të popullit duhet ta rrisë buxhetin e vet, me çka do të angazhohet personel i specializuar, me qëllim që ta realizojë më mirë rolin e vet. Pavarësia funksionale e tyre trupave duhet të jetë vazhdimisht e garantuar, përfshirë përmes burimeve adekuate financiare.

Gjyqësi
Sistemi gjyqësor në Maqedoni të Veriut është i përgatitur mesatarisht. Përparim i caktuar është arritur në raport me implementimin e reformës së gjyqësisë, me çka plotësisht të shqyrtohen rekomandimet nga Komisioni i Venecies dhe grupi i ekspertëve për çështje sistematike për sundim të së drejtës.

Nevojiten përpjekje që të sigurohet implementim sistematik i planit të përditësuar të aksionit për strategjinë për reformë në gjyqësi dhe strategjinë për resurse njerëzore për gjyqësinë dhe prokurorinë. Institucionet gjyqësore vazhdojnë t’i zbatojnë rregullat e reja për emërim, avancim, procedura disiplinore dhe shkarkim të gjykatësve dhe prokurorëve. Pjesa më e madhe e legjislaturës për zbatim të Ligjit të reviduar për Këshillin e prokurorëve publikë është miratuar.

Me rëndësi është të vazhdohet me implementimin e kornizës juridike dhe planet strategjike lidhur me reformën e Këshillit gjyqësor dhe Këshillit të prokurorëve publikë. Propozim ligji i ri për Akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve duhet ta mirëmbajë Akademinë si pikë të vetme për hyrje në gjyqësi dhe prokurori dhe duhet të sigurojë qasje të drejtë dhe transparente drejt këtyre profesioneve.

Lufta kundër korrupsionit
Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Përparim i caktuar është arritur në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Përparim është arritur sepse vendi vazhdon t’i përforcojë arritjet e veta me hetim, ndjekje dhe gjykim të disa rasteve të korrupsionit, përfshirë edhe në nivel të lartë, dhe e përforcoi kornizën e vet institucionale, posaçërisht Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit dhe Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion.

Në prill të vitit 2021, Parlamenti e miratoi Strategjinë nacionale për parandalim të korrupsionit dhe konflikt të interesave 2021-2025 dhe planin e ndërlidhur të aksionit, duke e konsoliduar angazhimin e vendit të parandalojë korrupsion dhe t’i sanksionojë sjelljet korruptuese.

Vendi ka nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar. Korniza ligjore në masë të madhe është në pajtim me standardet evropiane dhe përpjekjet për zbatim të strategjive kundër krimit të organizuar duhet të vazhdojnë. Është arritur përparim i caktuar në nivel operativ, por duhet të bëhet më shumë në mënyrë që të përmirësohet efikasiteti i zbatimit të ligjit në luftën kundër formave të caktuara të krimit, siç janë larja e parave dhe krimi financiar. Koordinimi mbetet kyç për të gjitha palët e involvuara, të përfshira në luftën kundër krimit të organizuar.

Të drejtat fundamentale
Korniza ligjdhënëse për mbrojtje të të drejtave themelore në masë të madhe është në pajtim me standardet evropiane. Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi dhe Komisioni për preventivë dhe mbrojtje nga diskriminimi kanë hyrë në fuqi. procesi i deinstitucionalizimit arriti përparim real dhe shumica e fëmijëve tani janë të vendosur dhe për ta kujdesi është në bashkësi të vogla. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale investon në disa shërbime të caktuara, siç është mbështetja për viktimat e dhunës së bazuar gjinore. Përparim i rëndësishëm është arritur me miratimin e Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, me mbështetje nga të gjitha partitë politike.

Rekomandimet e trupave evropianë dhe ndërkombëtarë për mbrojtje të të drejtave të njeriut, posaçërisht lidhur me trajtimin e personave në paraburgim dhe personave të dënuar, duhet të implementohen në tërësi, pa shtyrje.

Liria e të shprehurit
Përparimi në pjesën e lirisë së të shprehurit është i kufizuar.

Konteksti i përgjithshëm për liritë mediale është i volitshëm dhe lejon raportim kritik medial edhe pse pati tensione të shtuara gjatë krizës me Kovid-19. Përpjekjet për vetërregullim duhet të vazhdojnë dhe të sjellin rezultate konkrete për përparim të standardeve profesionale në gazetari.

Kërkohet transparencë më e madhe në reklamim nga ana e institucioneve shtetërore dhe partive politike dhe reformave në RTVM që të sigurohet pavarësi financiare për servisin publik. Përparimi i RTVM-së është penguar për shkak të emërimit të trupave relevantë.

Kriza me Kovid-19 pati pasoja të fuqishme mbi sektorin mediatik, veçanërisht për faktorët rajonalë dhe lokalë. Shtëpitë mediatike u përfshinë në paketën për ndihmë, por drejtat e punëtorëve të gazetarëve duhet të zgjidhen.

Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal

Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë pjesë thelbësore e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe kontribuojnë për stabilitet, pajtim dhe klimë të përshtatshme që të adresohen çështjet e hapura dypalëshe dhe trashëgiminë nga e kaluara. Maqedonia e Veriut e vazhdoi angazhimin e saj në nisma të shumta rajonale, siç është Marrëveshja Qendrore – Evropiane për Tregti të Lirë (CEFTA), Komuniteti Energjetik, Komuniteti i Transportit, Procesi për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP) dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim.

Pandemia me Kovid-19 e përshpejtoi ambicien që të përforcohet integrimi rajonal, përmes përforcimit të lidhjeve të rëndësishme midis tregjeve në rajon, si dhe mes BE-së dhe gjashtë ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me dhënien e një perspektive evropiane të Ballkanit Perëndimor, BE-ja vazhdon ta trajtojë rajonin si partner të privilegjuar përmes lidhjes së tij me instrumentet dhe mekanizmat e Unionit, përfshirë edhe lirimin e kufizimeve të përkohshme për eksport të pajisjeve mjekësore nga BE-ja.

Kriteret ekonomike

Lidhur me kriteret ekonomike, Maqedonia e Veriut ka mbërritur përparim të caktuar dhe në nivel të mirë të përgatitjes në zhvillimin e ekonomisë funksionale të tregut. E prekur nga pandemia, ekonomia hyri në recesion në vitin 2020. Gradualisht rimëkëmbja filloi nga pranvera e vitit 2021. Qeveria zbatoi përgjigje të fuqishme fiskale ta zbusë ndikimin e fuqishëm të krizës mbi amvisëritë dhe format.

Deficiti fiskal u rrit në 8,2 për qind nga BPV-ja në vitin 2020, derisa borxhi publik u rrit në 60,2 për qind nga BPV-ja, sepse nevojat financiare shtesë duhej të mbulohen.

Shpenzimet kapitale u ulën me ribalancin e buxhetit që të hapet hapësirë për pagesa lidhur me krizën. Por, megjithatë, ato mbetën të përmbushura në mënyrë të pamjaftueshme. Autoritetet ndërmorën masa shtesë që ta përmirësojnë transparencën fiskale, edhe pse ende nuk është zhvilluar regjistri për ndihmë shtetërore. Përparim i vogël është bërë që të përmirësohet pagesa dhe mobilizimi i të ardhurave, si dhe menaxhimi me investimet publike.

Ligji i ri për buxhetin, me të cilin dukshëm duhet të përmirësohet menaxhimi fiskal, ende nuk është miratuar në Kuvend. klima e biznesit ende has në pengesa nga ekonomia e përhapur joformale.

Mjedisi i jetesës dhe ndryshimet klimatike

Maqedonia e Veriut ka nivel të caktuar të gatishmërisë në këtë fushë. Përparim i kufizuar është arritur në mbrojtjen e natyrës dhe ndryshimeve klimatike. Ndërkaq, nevojitet implementim urgjent në të gjithë sektorët. Vendi është inkurajuar t’i ngrejë ambiciet e veta lidhur me tranzicionin e gjelbër, veçanërisht në kontekst të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Shumica e rekomandimeve të vitit të kaluar nuk janë implementuar.

Në vitin e ardhshëm, vendi veçanërisht duhet ta bëjë në vijim:

– Ta përmirësojë koordinimin ndërsektorial dhe t’i rrisë resurset fiskale për uljen e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar;

– Të bëjë hapa të rëndësishme për të të vendosur sistem të menaxhimit me mbeturinat në nivel rajonal;

– Ta implementojë Marrëveshjen e Parisit, duke përfshirë miratimin Strategjinë gjithëpërfshirëse dhe Ligjin për ndryshime klimatike, në përputhje me kornizën e BE-së 2030./MIA