Presidenca ka reaguar përmes një postimi në Facebook ku thot se “Procesi zgjedhor i 25 prillit ende nuk ka përfunduar”. Reagimi ka ardhur nga zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi.
Ndërsa ka renditur një sërë faktesh që sipas tij tregojnë qartë se zgjedhjet e mbajtura në 25 prill nuk ishin të drejta, ai shkruan se organizatat ndërkombëtare që merren me këtë proces po pasqyrojnë çdo ditë të vërtetën reale të votimeve.
“Të gjitha krimet zgjedhore duhet të zbardhen, pa vonesë dhe të gjithë ata zyrtarë, të çdo niveli, të cilët kanë konsumuar vepra penale për cenimin e standardeve të procesit të 25 prillit duhet të përgjigjen përpara ligjit”, shprehet Blushi, ndërsa shton: “Cilido, që ka kryer krime zgjedhore duhet të ndëshkohet dhe nuk e meriton mandatin për në Kuvendin e Shqipërisë”.
Ndër të tjera zëdhënësi i Presidentit Meta thekson se drejtësia duhet ndihmuar me fate e të dhëna për zbardhjen e këtij procesi dhe se çdo proces proces ankimor dhe kushtetues të shqyrtohet me objektivitet dhe paanësi.
“Kjo është e rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit dhe asnjë “shashkë”, që synon të shpërqendrojë fokusin nuk meriton asnjë sekondë vëmendje”, shton më tej ai.
Reagimi i plotë:
Procesi zgjedhor i 25 prillit akoma nuk ka përfunduar.
Organizatat prestigjioze ndërkombëtare, që merren me standardet e zgjedhjeve, përditë po reagojnë qartë për të vërtetën reale të këtyre zgjedhjeve.
Të gjithë jemi dëshmitarë se:
– Blerja e votës ka qenë një fenomen masiv;
– Qeveria përdori asetet dhe fondet publike në interes të saj politik në fushatë;
– Procesi i vaksinimit të popullatës u shfrytëzua në funksion të fushatës së partisë në pushtet;
– Të dhënat personale të qytetarëve u keqpërdorën në mënyrë kriminale;
– Emigrantëve nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut ju mohua padrejtësisht e drejta për të votuar;
– Lejet e legalizimit dhe shpërblime të tjera të kësaj natyre u dhanë për të siguruar votën e zgjedhësve;
– Kontratat e Koncesionit vërshuan lumë gjatë procesit zgjedhor;
– Fondet e rimbursimit për tërmetin u bllokuan për muaj me radhë, që të keqpërdoreshin dy ditë para zgjedhjeve.
Të gjitha krimet zgjedhore duhet të zbardhen, pa vonesë dhe të gjithë ata zyrtarë, të çdo niveli, të cilët kanë konsumuar vepra penale për cenimin e standardeve të procesit të 25 prillit duhet të përgjigjen përpara ligjit.
Të gjithë duhet ta ndihmojmë drejtësinë me fakte e të dhëna, që zbardhin të vërtetat e këtij procesi.
Cilido, që ka kryer krime zgjedhore duhet të ndëshkohet dhe nuk e meriton mandatin për në Kuvendin e Shqipërisë.
Çdo kandidat, që ka përfituar mandat me krime zgjedhore nuk ka të drejtë të ulet në Kuvend dhe të përfaqësojë popullin shqiptar.
Është tepër e rëndësishme, që çdo votë të numërohet dhe rinumërohet me transparencë deri në fund, sipas Kodit Zgjedhor. Çdo proces ankimor dhe kushtetues të shqyrtohet me objektivitet dhe paanësi.
Drejtësia duhet të funksionojë tani!
Kjo është e rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit dhe asnjë “shashkë”, që synon të shpërqëndrojë fokusin nuk meriton asnjë sekondë vëmendje.