Referendumi, KSHZ: Komunat të lajnë borxhet për zgjedhjet lokale

Në prag të zbatimit të referendumit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve fton komunat që të lajnë borxhet ndaj anëtarëve të këshillave zgjedhore dhe ndaj anëtarëve të komisioneve komunale për zbatim të zgjedhjeve lokale të 15 tetorit të vitit 2017, pasi një pjesë e mirë e administratorëve të angazhuar nga KSHZ për zbatimin e këtyre zgjedhjeve ende nuk kanë marrë kompensimin për këtë cikël zgjedhor ndërkaq, do të jenë të angazhuar edhe për zbatimin e referendumit.

Marketing

“Është kompetencë direkt e komunave dhe obligim i komunave që të shlyejnë këto borxhe ndaj këtyre organeve zgjedhore kur bisedojmë për zgjedhje lokale. Mirëpo edhe pse disa herë KSHZ ka intervenuar deri te këto komuna duke i njoftuar se është kompetencë e drejtpërdrejtë e këtyre komunave që fillimisht të sigurojnë mjete për pagesat e këtyre anëtarëve të Këshillave zgjedhore të Komisioneve komunale, deri tani na paraqiten raste të këtilla dhe raste të moskryerjes së detyrimeve të komunave ndaj organeve zgjedhore”, u shpreh zëdhënës i KShZ-së, Admir Shabani.

Edhe zbatimi i referendumit do të bie në kurriz të administratës shtetërore dhe publike, pasi përbërja e këshillave zgjedhore do të jetë ekskluzivisht nga të punësuarit në administratë. Për zbatimin e referendumit do të tërhiqen anëtarët e propozuar nga partitë politike.

“Sa u përket organeve për zbatimin e zgjedhjeve, gjëgjësisht zbatimin e referendumit ka dallime në përbërjen e Këshillave zgjedhore, ndërsa Komisionet Komunale të Zgedhjeve mbeten të njëjtat. Sa u përket këshillave zgjedhor sipas Rregullores për punë për zbatim të aktiviteteve të KSHZ-së për realizim të referendumit tek këshillat zgjedhor përbërja, e cila është zgjedhur me zgjedhje të rastësishme nga ana e të punësuarvë në administratën shtetërore dhe publike mbetet e njëjtë ndërsa tërhiqen vetëm propozimet e partive politike prej përbërjes së këshillave zgjedhorë”, theksoi zëdhënës i KShZ-së, Admir Shabani.

Këshillat zgjedhor tani do të përbëhen prej kryetarit, zv/kryetarit, dy anëtarë dhe dy zv/anëtarë. Konformë Kodit Zgjedhor, zgjedhja e kryetarëve anëtarëve dhe zëvendësve të këshillave komunale dhe këshillave zgjedhore bëhet me zgjedhje të rastësishme nga të punësuarit në administratën shtetërore dhe komunale të cilët kanë vendbanim në territorin e komunës përkatëse.

Marketing