Regjistri Qëndror: Procedura për ndryshimin e emrave të shkollave fillore në Çair, e pastër si kristali!

Procedura në Regjistër Qendror për ndryshimin e emrave të dy shkollave fillore në Çair është e pastër si kristali, thotë drejtoresha e këtij institucioni Marija Boshkovska Jankovski, pas deklaratës së liderit të LSDM-së dhe kryeministrit të dikurshëm Zoran Zaev i cili të njejtën e vlerësoi si të jashtëligjshme, me pretendimin se nuk ka pasur vendim të këshillit komunal për këtë çështje.

Marketing

Në deklaratën e saj për “360 shkallë” Jankovski potencoi se nuk e ka dëgjuar ende deklaratën e Zaev dhe se për momentin nuk mund të komentojë lidhur me të, por thotë se procedura që është finalizuar mbrëmë është e realizuar në mënyrë ligjore në bazë të vendimit të ministrit të arsimit dhe shkencës Arbër Ademi.

“Procedura në Regjistrin Qendror është tërësisht në rregull. Është vepruar në pajtim me Ligjin për Arsim Fillor në bazë të kërkesës dhe vendimit të ministrit të arsimit, pas një vendimi paraprak të këshillit të prindërve dhe pas mendimit pozitiv të këshillit komunal. – thotë Boshkovska Jankovski.

Ajo potencon se në këtë rast Regjistri Qendror nuk ka hyrë të konstatojë se a ka vendim të këshillit komunal, pasi që në dokumentacionin e parashtruar deri tek institucioni në fjalë, ka vendim të ministrit dhe të këshillave të prindërve, si dhe mendim pozitiv nga këshilli komunal, i cili është themelues i shkollave fillore në territorin e saj.

“Mekanizmi i vetëm juridik në këtë rast është që pala e prekur të parashtrojë ankesë në Gjykatën Administrative. Kjo mund të jetë bazë eventuale për korrigjimin eventual të procedurës dhe të dhënave të inkorporuara në Regjistër Qendror.” – thotë Jankovski.