Regjistrimi i popullsisë, VMRO-DPMNE: Të zbatohet regjistrim elektronik

Ligji për Regjistrimin e Popullsisë dhe Amvisërive përplas sërish LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në. Kjo e fundit propozon që regjistrimi të jetë elektronik dhe të monitorohet nga profesorët e Fakultetit të Informatikës, të cilët, sipas tyre, do të jenë përgjegjës që të bindin të gjithë opinionin se regjistrimi është i besueshëm.

Marketing

“VMRO-DPMNE propozon që regjistrimi të jetë elektronik sepse do të jetë më efikas, sepse do të jetë më ekonomik dhe sepse regjistrimi elektronik është më evropian. Që qeveria dhe të gjitha subjektet e tjera të kenë më shumë besim në regjistrimin elektronik, sugjerojmë që regjistrimi elektronik të ketë monitorimin e vet, dhe monitorimi duhet të kryhet nga ekspertë dhe profesorë nga Fakulteti i Informatikës.”,- deklaroi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

Por, nga LSDM thonë se vendi i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për ta zbatuar regjistrimin sipas standardeve ndërkombëtare. Zgjidhja ligjore sipas tyre siguron që ky operacion të jetë statistikorë dhe jo politik.

“Enti Shtetëror i Statistikave ka të gjithë kapacitetin dhe është i gatshëm të kryejë një regjistrim në përputhje me standardet e Kombeve të Bashkuara dhe EUROSTAT. Zgjidhja ligjore garanton që regjistrimi do të kryhet ekskluzivisht si një operacion statistikor dhe kurrë më nuk do të trajtohet si çështje politike. Regjistrimi do të mbahet në pranverë, në interes të qytetarëve dhe progresit të vendit.”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Sipas Ligjit, Maqedonia e Veriut nga 1 prilli deri më 25 prill do të realizojë regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive 19 vite pas regjistrimit të fundit të realizuar në vitin 2002.