Riaktivizohet “Dhoma publike”, policia po heton rastin

Në aplikacionin “Telegram” përsëri është hapur një grup nën emërtimin “Dhoma publike”. Aty qarkullojnë fotografi eksplicite të vajzave, ndërsa u shkruhet edhe adresa si dhe numri i telefonit.

Marketing

Deri më tani janë shpërndarë më shumë se 60 foto dhe 14 video. Grupi ka grumbulluar më shumë se 260 anëtarë në një ditë, por shihet se po kërkohet për më shumë anëtarë, duke ia dërguar linkun njëri-tjetrit.

Nga MPB thonë se tashmë janë njoftuar me rastin dhe se kanë vepruar menjëherë. Është informuar edhe Prokuroria thonë nga policia, duke u kërkuar viktimave që gjetur veten në grup të paraqiten në polici.

“Ministria e Brendshme po vepron menjëherë për këtë grup të ri në përputhje me të gjitha kompetencat dhe menjëherë kemi njoftuar Prokurorinë”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Skandali i “Dhomës publike” u zbulua për herë të parë vitin e kaluar kur fotot dhe videot të vajzave, disa prej tyre edhe të mitura, u shpërndanë në grupin Telegram. Këtë vit rasti u bë sërish aktual pasi vajza Ana Koleva ndau publikisht përvojën e saj me ngacmimet seksuale në këtë grup.

OJQ-të dhe qytetarët kanë kërkuar vazhdimisht zbardhjen e këtij rasti me çka edhe më 8 mars, Platforma për Barazi Gjinore organizoi një marsh proteste për të dërguar mesazh dhe për t’u kërkuar institucioneve zbardhjen e plotë të rastit “Dhoma Publike”.

Prokuroria Publike ka ngritur kallëzim penal – Për prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve kundër dy personave, Darko Kostovskit dhe Mihail Panevskit, të cilët po gjykohen në paraburgim. Ata ishin krijuesit dhe administratorët e grupit të parë.