Zyrtarisht u hap fabrika për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Investimi “Greenfield” i Ndërmarrjes “Nju York – Skopje Holdings”, e ajo është fabrika me kapacitetin më të madh në Europë për kultivimin e kanabisit mjekësor. Produktet e fabrikës së re do të plasohen në tregun e huaj dhe të brendshëm.
“Në këtë kohë pandemia kompania jonë gjeti forcë që të riinvestojë për këtë repart. Në katër vitet e kaluara edhe tani kemi investuar 20 milion euro në këtë industri për zhvillim dhe mundësi për të na çuar në BE me prodhimin më kualitet i cili do të prodhohet në vendin tonë.”,– theksoi drejtori ekzekutiv i “Pharmacy International”, Zlatko Keskoski.
Qeveria inkurajon investitorët, pret votimin në Kuvend të Ligjit për Narkotikët
Autoritetet e larta të qeverisë inkurajojnë investimet e reja. Presin që kuvendi të miratojë ndryshimet në Ligjin për kontroll të drogave narkotike dhe substancave psikotrope.
“Është një fushë që ka të ardhme të ndritur dhe jep mundësi për hapje të vendeve të reja të punës. Ligji për lëndët narkotike është veç më në procedurë parlamentare. Do të ketë ndryshime që sigurisht do të ndikojë në tërheqje të investuesve, por edhe të rinjtë që ta shohin ardhmërinë në vendin tonë.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Qeveria është në komunikim të pandërprerë me kompanitë e kësaj sfere me qëllim që kjo industri të zhvillohet me rregullativat dhe standardet europiane. Edhe parlamenti besoj se do ta ketë disponimin që ligjërisht të ndihmojë këtë sektor.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Vitin e ardhshëm Maqedonia e Veriut pret që të realizojë të hyra në vlerë prej më shumë se 250 milion euro nga prodhimi i kanabisit mjekësor.