Rriten tensionet Turqi-Greqi

Greqia tha se do të bëjë “gjithçka që është e nevojshme” për të mbrojtur të drejtat e saj sovrane, kur bëhet fjalë për misionin e kërkimit të naftës dhe gazit në jug të ishujve grekë në Mesdheun Lindor, nga ana e Turqisë fqinje.

Mosmarrëveshja për të drejtat e pasurive nënujore ka bërë që Turqia dhe Greqia të vendosin trupat e marinës në rajon, raporton Reuters.

Marketing

Të dyja vendet janë anëtare të NATO-s.

Një anije kërkimore turke, Oruc Reis, po përgatitet për një mision studimi, por Greqia po e kundërshton ashpër një projekt të tillë.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, e përshkroi misionin si një shkelje të drejtpërdrejtë të sovranitetit grek.

“Qeveria u bën me dije të gjitha palëve se Greqia nuk do të pranojë një shkelje të sovranitetit të saj dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e saj sovrane”, tha Petsas.

Greqia dhe Turqia kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada mbi kufijtë detarë, por zbulimet e fundit të gazit natyror dhe planet e shpimit nëpër Mesdheun Lindor kanë përkeqësuar tensionet.

Turqia thotë se ka të drejtë të vazhdojë me planet e saj.

Greqia ka rreth 6.000 ishuj në Detet Egje dhe Jon, më shumë se 200 prej tyre janë të banuar.

Në Ankara, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan vizitoi Këshillin Suprem Ushtarak të vendit dhe tha se ai kishte besim të plotë në aftësinë e ushtrisë së vendit të tij.

“Sukseset historike në fronte të ndryshme, nga Siria në Libi, nga Mesdheu Lindor deri te lufta kundër terrorizmit, demonstrojnë forcën e vendit tonë dhe aftësitë e forcave tona të armatosura”, tha Erdogan.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Turqisë të ndalë planet e saj për kërkimin e gazit në rajon.