Rritet pasiguria nëse Shkupi dhe Sofja do të gjejnë një zgjidhje para Samitit të Këshillit të BE-së, pasi pritjet e Shkupit nuk përputhen me të gjitha mesazhet që vijnë nga Sofja.
Përfaqësuesi special i Qeverisë së Maqedonisë për Bullgarinë, Vllado Buçkovski, tha për DW se tani që Bullgaria ka një qeveri politike, dritarja e mundësive është e hapur. Lëshimi i shansit në Samitin e dhjetorit do të ndryshonin plotësisht pritshmëritë aktuale, thotë Buçkovski.
“Nëse nuk pajtohemi tani, derisa Zaev është kryeministër, do të hyjmë në një pasiguri të re. Do të humbasim shumë kohë përsëri dhe nuk kemi më kohë për të pritur! Ne kemi pritur shumë gjatë që Bullgaria të ketë një qeveri politike. Kryeministri Zaev mbetet në pozicionin për të mbyllur këtë proces negociues me kryeministrin e ri bullgar. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për përcaktimin e kornizës kohore për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi dhe heqjen e bllokadës nga Bullgaria. Të mos harrojmë se presidenca e ardhshme e BE-së, Franca, ka zgjedhje presidenciale në prill. Prandaj, nuk kemi shumë kohë para se të fillojë fushata e tyre.”,- thotë Buçkovski.