Scholz: Putin shihet që nuk mund ta fitojë luftën në fushëbetejë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i ka dënuar sulmet ruse në infrastrukturën civile në Ukrainë, duke shtuar se mundësitë e Rusisë për të fituar në fushëbetejë kanë ikur.

Marketing

“Ky terror i bombardimeve kundër popullsisë civile duhet të përfundojë – dhe atë menjëherë”, ka thënë lideri gjerman, pas takimit me presidentin e Qipros, Nikos Anastasiadis në Berlin.

Ai ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është duke treguar edhe njëherë sa i pamëshirë është në këtë luftë “që nuk mund ta fitojë në fushëbetejë, kjo gjë shihet qartë”.

Më herët gjatë ditës së mërkurë, Ukraina ka raportuar për ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike, për shkak të sulmeve ajrore ruse në infrastrukturën e energjisë.

Ditëve të fundit, autoritetet u kanë thënë banorëve që duhet të konsiderojnë edhe mundësinë e largimit nga shteti për të zvogëluar kërkesën në rrjetin energjetik.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL