Selami: Janë paguar 27 milion euro subvencione për duhan

Agjencia për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural sot ka paguar mbi 80 për qind nga shuma e përgjithshme e planifikuar për subvencione për duhan nga rekolta 2018.

Marketing

Në llogaritë e 26.776 prodhuesve të duhanit sot janë paguar mbi 27 milionë euro. Për momentin edhe një kompani blerëse e duhanit nuk ka dorëzuar lista deri tek Agjencia pagesore, prandaj pagesa për ta do të realizohet në ditët në vijim.

‘Nga 8 kompani të licensuara për blerjen e duhanit sot janë paguar subvencione me vlerë prej 1.660.600.739,00 denar për 26.776 bujqë nga të gjitha rajonet e vendit’, ka theksuar mes tjerash zv/drejtori i agjencionit për përkrahje në bujqësi dhe zhvillim rural Abdulselam Selami.

Pagesa e subvencioneve për duhan, siç informojnë nga MBPEU, realizohet një muaj para fillimit të rekoltës së re të prodhimit për vitin 2019 dhe këto para prodhuesit e duhanit do të mund t’i riinvestojnë në prodhimtarinë e re të duhanit.

“Duke filluar nga rekolta e vitit 2017, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave vendosi një mënyrë të re të subvencionimit të ri për duhan në tre nivele. Në harmonizim me këto ndryshime, subvencioni për klasin e parë të duhanit arrin 80 denarë për kilogram, 70 denarë për klasin e dytë dhe 60 denarë për klasin e tretë dhe klaset tjera”, përkujtojnë nga MBPEU.

Modeli i ri i rritjes së subvencioneve, shtojnë, çmimi i lartë mesatar i blerjes që u arrit në vitin 2017 dhe 2018, si dhe vendimi i ri ligjor, janë pjesë e politikave zhvillimore të Qeverisë dhe të MBPEU, për zhvillimin e prodhimit të duhanit si degë eksportuese strategjike e cila mban derdhje devizor prej rreth 100 milionë euro.

Marketing